Arbër Ademi: Jemi kthyer para vitit 2001, zhvillimet pas 28 Nëntorit janë alarmante

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 nëntor Zhurnal.mk – Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj një sërë ngjarjesh që kanë ndodhur gjatë ditëve të fundit në vend, duke i cilësuar ato si shqetësuese për shqiptarët dhe duke paralajmëruar se situata aktuale po rikthen një klimë të ngjashme me periudhën para vitit 2001.

Ademi ka renditur gjashtë zhvillime që, sipas tij, dëshmojnë për një përkeqësim të pozitës së shqiptarëve, duke filluar nga dënimi me tre muaj burgim me kusht për një të ri nga Kumanova për përdorimin e flamurit kombëtar, e deri te incidentet dhe tensionet gjatë festimeve të 28 Nëntorit.

Në reagimin e tij, ai përmend edhe 13 shkeljet e rendit publik dhe arrestimin e tre personave gjatë festimeve, ndalimin e aktiviteteve për shënimin e 28 Nëntorit në qytete shqiptare, siç është Struga, si dhe deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili arsimin e lartë në gjuhën shqipe e ka cilësuar si „implant“.

Ademi ka ngritur shqetësimin edhe për sulmin fizik ndaj dy shqiptarëve nga persona të identifikuar si pjesëtarë të grupit të tifozëve „Komiti“, si dhe për një video kërcënuese të publikuar nga huliganë maqedonas, me mesazhe frikësuese ndaj shqiptarëve.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të BDI-së, këto zhvillime nuk mund të trajtohen si incidente të izoluara apo ngjarje të zakonshme, por kërkojnë vëmendje dhe reagim serioz.

„E kemi thënë dhe po dëshmohet çdo ditë: me VLEN-in jemi kthyer para vitit 2001“, ka shkruar Ademi, duke e përmbyllur reagimin me një pyetje drejtuar opinionit: „A të rrimë rahat, a?“

artikuj të ndërlidhura