Gjykata Kushtetuese njoftoi të martën se i gjeti të pabazuara kërkesat e një grupi prej 7 partish politike, për të shfuqizuar dy nene të Kodit Zgjedhor dhe shfuqizuar nenin 64 të Kushtetutës që rregullon zgjedhjet dhe votën parapëlqyese.
“Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi me shumicë votash: Rrëzimin e kërkesës”, thuhet në njoftimin e vendimit. Në njoftim bëhet me dije se në njërwn prej pikave, gjykata nuk arriti shumicë dhe trupa u nda.
Një grup partish të vogla, një organizatë dhe katër individë iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të rrëzuar disa pika të Kodit Zgjedhor. Ata ngritën pretendimin se neni 67, pika 1 e Kodit Zgjedhor i detyron subjektet të paraqesin dy lista shumëemërore, një me renditje të fiksuar dhe një me kandidatë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes duke cënuar nenin 64 të Kushtetutës, konkretisht, pikën që iu jep zgjedhësve të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët.
Por Gjykata arsyetoi se ky kërkim ishte i pabazuar, pasi e drejta e zgjedhësve nuk cënohej ndërsa pretendimet kishin të bënin me me rezultatet e votimit dhe shpërndarjen e mandateve. Gjykata interpretoi se Kushtetuta ia kishte lënë në dorë ligjvënësit, masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes.
“Bazuar po në këtë premisë, Gjykata nuk konstatoi as cenim të parimit të barazisë përpara ligjit si për partitë politike, ashtu dhe për organizatat dhe individët në dy aspektet e mësipërme, të drejtën për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur,” thuhet në njoftim.

