A copëtohet Maqedonia e Veriut nëse nuk anëtarësohet në BE?

nga Redaksia

Shkup, 26 shator – Në një rajon ku historia shpesh rikthehet si mallkim, Maqedonia e Veriut po kalon një udhëkryq vendimtar. Procesi i integrimit evropian, që për vite është paraqitur si horizonti i vetëm i sigurisë dhe stabilitetit po has pengesa të reja dhe me to edhe tensione të brendshme që ushqejnë frikën e copëtimit. Në këtë sfond, deklaratat politike marrin peshë më të madhe se zakonisht, sepse ato shpalosin frikën kolektive të një shoqërie që jeton midis aspiratave dhe zhgënjimeve. Por, përkundur të gjithave deklaratat për copëtim janë sinjale alarmi apo retorikë politike? shkruan Zhurnal.

Ali Ahmeti: Nëse Maqedonia nuk anëtarësohet në BE, atëherë ne do të bëhemi ca me Bullgarinë, ca me Shqipërinë

Ali Ahmeti nga Tetova i është drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski. Ahmeti tha se nëse Maqedonia e Veriut nuk e vazhdon rrugën drejt BE-së, qytetarëve të këtij vendi s’u mbetet tjetër zgjidhje që disa të shkojnë me Shqipërinë, e disa të tjerët me Bullgarinë.

“Andaj, mos i ushqe me urrejtje bashkëqytetarët tanë se jo shqiptarët e marrin shtetin, jo Shqipëria, jo Bullgaria. Edhe Shqipëria edhe Bullgaria janë në BE, ne ku do të jemi?”, tha Ahmeti.

Një sinjal alarmi apo retorikë politike?

Deklarata e Ahmetit nuk duhet lexuar vetëm si një paralajmërim i drejtpërdrejtë për copëtim territorial. Ajo është një metaforë e qartë për rrezikun e izolimit dhe boshllëkut politik që krijohet nëse perspektiva evropiane zvarritet pafundësisht. Duke e lidhur fatin e qytetarëve shqiptarë me Shqipërinë dhe atë të maqedonasve me Bullgarinë, Ahmeti synon të godasë në nervin më të ndjeshëm të politikës në Shkup frikën e shpërbërjes.

Në praktikë, as Shqipëria dhe as Bullgaria nuk kanë interes të hapin fronte të reja territoriale, sepse janë tashmë pjesë e BE-së(Shqipëria në proces final) dhe NATO-s. Por perceptimi i brendshëm në Maqedoninë e Veriut është ndryshe çdo ngecje në procesin e integrimit shihet si kërcënim për unitetin e shtetit. Kjo frikë ushqehet nga historitë e tensioneve etnike, nga ndërhyrjet e fqinjëve dhe nga ndarja e brendshme mes identitetit maqedonas dhe atij shqiptar.

Në thelb, Ahmeti po i dërgon një mesazh kryeministrit Mickoski stabiliteti i brendshëm nuk mund të mbahet me retorikë nacionaliste dhe me bllokim të reformave europiane. Çdo vonesë në rrugën drejt BE-së i jep hapësirë radikalizmit, përforcon skepticizmin dhe i jep jetë narrativave që e paraqesin Maqedoninë e Veriut si “shtet të përkohshëm”.

Rreziku i vërtetë –

Maqedonia e Veriut nuk rrezikon të copëtohet me kufij të rinj, por rrezikon të copëtohet në brendësi në besime të thyera, në komunitete të mbyllura dhe në humbje të kapitalit njerëzor. Migrimi masiv i të rinjve, mungesa e perspektivës dhe lodhja nga tranzicioni mund të krijojnë një zbrazëti që asnjë retorikë politike nuk e mbush. Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku më i madh shpërbërja e ngadaltë shoqërore e jo domosdoshmërisht ajo territoriale. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More