Turqia pësoi një tjetër humbje të rëndë në Ligën e Kombeve, teksa pas disfatës ndaj Francës, u mposht edhe nga Italia me rezultat 4-1 në Bursa.
Disfata e dytë radhazi shkaktoi pakënaqësi të mëdha te tifozët vendas, të cilët gjatë ndeshjes kërkuan largimin e përzgjedhësit Vincenzo Montella.
Pas përfundimit të takimit, trajneri italian u pyet drejtpërdrejt nëse e kishte menduar dorëheqjen.
“Jo, besoj te puna që kam bërë. Nuk u largova edhe pse mora oferta të rëndësishme. Vazhdoj të besoj te futbollistët tanë dhe jam me ta. Do të dimë si të vazhdojmë nga këtu”, deklaroi Montella.
“Për sa i përket dorëheqjes, nëse do të ketë një temë diskutimi për këtë, do të flas me lojtarët e mi, por aktualisht nuk e kemi në agjendë”.
Duke folur për paraqitjen e Turqisë, Montella pranoi se skuadra e tij nuk arriti të kishte të njëjtën qasje si kundërshtari dhe e cilësoi këtë si një aspekt shqetësues.
“Nuk mundëm të kishim të njëjtën qasje në ndeshje si kundërshtarët. Si kombëtare, nuk jemi mësuar të luajmë çdo tri ditë në këtë nivel. Kjo më trishton”, tha ai.
“Pas rezultatit 3-1 e nisëm më mirë dhe një nga golat tanë u anulua”.
Montella foli edhe për reagimin e tifozëve në stadium, duke pranuar se skuadra e kishte merituar reagimin e tyre, sidomos pas pjesës së parë.
“E meritonim të fërshëlleheshim në pjesën e parë. U përmirësuam në pjesën e dytë, por nuk jemi mësuar të luajmë çdo tri ditë në nivele të tilla”.
“U përpoqëm të ruanim qetësinë dhe të motivonim lojtarët teksa analizonim ndeshjen. Në përgjithësi, do të marrim mësime nga kjo ndeshje, por nuk duhet ta humbasim vetëbesimin”.
“Kemi ardhur deri këtu dhe do të vazhdojmë të luftojmë në mënyrën më të mirë në fushën e lojës”, përfundoi Montella.


