A do të rifillojë dialogu me Sofjen? Franca e gatshme të ndërmjetësojë

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 tetor, Zhurnal.mk – Franca është e gatshme të lehtësojë dialogun ndërmjet Shkupit dhe Sofjes, sipas modaliteteve që do të dakordohen nga të dyja palët. Kështu deklaroi ambasadori francez në Maqedoninë e Veriut, Christophe Le Rigoler, duke theksuar se rikthimi i besimit ndërmjet dy vendeve është thelbësor për perspektivën evropiane të vendit, transmeton Zhurnal.mk.

Në një intervistë për emisionin “Europat” në TV24, ambasadori francez nënvizoi rëndësinë e rinisjes së dialogut dhe angazhimit të të dyja palëve për tejkalimin e mosmarrëveshjeve.

“Qëllimi është të rikthehet dialogu i bazuar në besim ndërmjet Shkupit dhe Sofjes. Kjo është shumë e rëndësishme. Mendoj se të dyja palët duhet të angazhohen për këtë. Është e rëndësishme për ne si evropianë. Kemi nevojë për rikthimin e besimit ndërmjet dy kryeqyteteve, sepse ky është një element kyç për të ardhmen e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Le Rigoler.

Franca dhe vendet anëtare të BE-së kërkojnë dalje nga ngërçi

Duke komentuar spekulimet për bisedime të mundshme prapa skenës dhe përfshirjen e institucioneve evropiane, ambasadori tha se qarkullojnë shumë ide, por nuk mund të konfirmojë nëse Komisioni Evropian do të përfshihet drejtpërdrejt në bisedime.

Megjithatë, ai theksoi se Franca dhe shumë vende të tjera anëtare të Bashkimit Evropian janë të përkushtuara që Maqedonia e Veriut të dalë nga ngërçi në procesin e integrimit evropian.

Sipas tij, idetë që po qarkullojnë synojnë të vendosin në tryezë mundësi për tejkalimin e situatës aktuale dhe për rikthimin e dialogut ndërmjet dy vendeve.

Rasti i Iva Mihajlovës: Drejtësia duhet të vihet në vend

Në intervistë, ambasadori Le Rigoler u ndal edhe te rasti i Iva Mihajlovës, duke theksuar se në këtë çështje nuk duhet të harrohet qëllimi kryesor: vendosja e drejtësisë.

Ai nënvizoi se, duke pasur parasysh se në këtë rast ka një viktimë, drejtësia duhet të vihet në vend edhe në interes të familjarëve të saj.

Deklaratat e ambasadorit francez vijnë në një kohë kur marrëdhëniet ndërmjet Shkupit dhe Sofjes dhe përpjekjet për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian mbeten ndër çështjet kryesore në agjendën politike të Maqedonisë së Veriut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër