A do të shkojë Karposhi në zgjedhje të parakohshme?

Nga Xh M
412 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 maj Zhurnal.mk – Shkoi në pushim mjekësor, kryetari i komunës Sotir Lukrovski, duke lënë pas një sërë reagimesh të ndërthurura si nga publiku ashtu edhe nga kundërshtarët politikë. Ligji për vetëqeverisje lokale përmes Nenit 52, ndër të tjera, sqaron se kryetari i komunës përcakton se cili nga anëtarët e këshillit do ta zëvendësojë në rast pengese ose mungese, në përputhje me statutin. Gjatë kohës së zëvendësimit, anëtarit përkatës, në këtë rast Nedellço Krstevskit, i pezullohet funksioni si anëtar i Këshillit.

Zëvendëskryetari i Komunës së Karposhit, Nedellço Krstevski, për TV24 thotë:

“Jam emëruar zëvendëskryetar komune në përputhje me Ligjin për vetëqeverisje lokale, njësoj siç janë emëruar zëvendës në të gjitha komunat në Maqedoni. Kjo është një procedurë ligjore dhe e rregullt që ka për qëllim të sigurojë vazhdimësi, efikasitet dhe funksionim stabil të komunës. I dëshiroj kryetarit Lukrovski që të rikthehet qoftë edhe nesër në vendin e tij të punës. Deri atëherë, Komuna e Karposhit do të vazhdojë të funksionojë me kapacitet të plotë, në kohë dhe me përgjegjësi ndaj nevojave të qytetarëve. Të gjitha shërbimet dhe sektorët mbeten plotësisht të përkushtuar ndaj obligimeve të përditshme, projekteve dhe shërbimeve për qytetarët. Dua të theksoj qartë se nuk ka vend për shqetësim apo frikë nga çfarëdo lloj ngecjeje dhe komuna do të vazhdojë të punojë profesionalisht, e organizuar dhe në interes të të gjithë banorëve të Karposhit”, tha për TV24 zëvendëskryetari i Komunës së Karposhit, Nedellço Krstevski.

Ish-kryetari i komunës, Stevço Jakimovski, thotë se Lukrovski nuk dëshiron ta udhëheqë komunën dhe se tashmë ka dhënë dorëheqje. Ndërkohë, sot LSDM-ja kërkoi mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës së Karposhit për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet komuna.

Ndërkaq, sipas ligjit, në pjesën që ka të bëjë me kompetencat, mandatit të kryetarit të komunës i ndërpritet fuqia ligjore, ndër të tjera, në rast të mungesës së pajustifikuar më shumë se 6 muaj dhe nëse ai pushon së qeni banor i komunës.

Për arsyeshmërinë e mungesës së kryetarit të komunës më gjatë se 6 muaj vendos Këshilli me shumicë prej dy të tretash nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër