Abdixhiku për VV-në: Ka ndryshuar qasje, ka kaluar në proces konsensual

Nga D V
1,088 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 3 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për qëndrimin e LDK-së gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, si dhe për përpjekjet për krijimin e institucioneve të reja.

Duke folur në emisionin “Adresa” në Kanal 10, Abdixhiku tha se LDK-ja kishte një orientim të qartë politik dhe se vendimi për angazhimin në krijimin e institucioneve ishte marrë në organet më të larta të partisë.

“Edhe gjatë fushatës, edhe pas fushatës, kishim një orientim të qartë politik. Si organi më i lartë i partisë, kishim zgjedhur, me rekomandimin tim, një deklaratë që LDK-ja të angazhohej për krijimin e institucioneve. Ky ishte një vendim i LDK-së”, tha Abdixhiku.

Ai tregoi se LDK-ja kishte zhvilluar takime edhe me partitë e tjera politike, përfshirë PDK-në dhe Aleancën, me qëllim që të gjendej një rrugë për tejkalimin e situatës politike.

Sipas Abdixhikut, gjatë këtyre kontakteve është kuptuar se PDK-ja nuk dëshironte të bëhej pjesë e këtij procesi.

“Ne kishim takime edhe me partitë e tjera, me PDK-në dhe Aleancën. Kemi kuptuar në një fazë që PDK-ja nuk do të jetë pjesë e procesit. Kemi kërkuar edhe për gjashtë kërkesat e Aleancës”, deklaroi ai.

Kreu i LDK-së theksoi se partia që ai drejton e sheh veten si forcë institucionaliste dhe se në takimet e para është diskutuar për nevojën e një balance demokratike.

“Ne jemi parti institucionaliste. Në takimet e para kemi folur për balancë demokratike”, tha Abdixhiku.

Ai vlerësoi gjithashtu se Lëvizja Vetëvendosje ka ndryshuar qasje, duke kaluar nga një proces i udhëhequr prej saj në një proces më konsensual.

“Është hera e parë në dy vitet e fundit që Lëvizja Vetëvendosje ka lëvizur nga pozita, nga një proces i Lëvizjes Vetëvendosje në një proces konsensual. Kjo nuk ka qenë në diskutimet pas dhjetorit”, tha Abdixhiku.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër