Ademi nga Brukseli: Takime me eurodeputetët për moszbatimin e ligjit dhe të drejtave kushtetuese që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe

Nga D. V.
807 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 qershor, Zhurnal.mk – Përfaqësuesi i Lëvizjes Studentore, Mevlan Ademi, së bashku me Çlirim Isenin, kanë zhvilluar një takim në Bruksel me deputetë të Parlamentit Evropian dhe këshilltarë për zgjerimin e Bashkimit Evropian, ku kanë ngritur shqetësimet për moszbatimin e të drejtave gjuhësore dhe të Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Ademit, në takim morën pjesë eurodeputetët Kathleen Van Brempt dhe Thijs Reuten, si dhe këshilltarët për zgjerimin e BE-së, Joeri Maas dhe Ine Goris.
Gjatë bisedimeve, bashkëbiseduesit diskutuan për, siç u tha, situatën shqetësuese të moszbatimit të ligjit dhe të drejtave kushtetuese që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe për mungesën e implementimit të plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Njoftimi i plotë i Mevlan Ademit:
Patëm nderin me Çlirim Isenin të takojmë deputetët e Parlamentit Evropian, Kathleen Van Brempt dhe Thijs Reuten, si dhe këshilltarët për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Joeri Maas dhe Ine Goris.
Gjatë takimit diskutuam për situatën shqetësuese të moszbatimit të ligjit dhe të drejtave kushtetuese që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, si dhe për mungesën e implementimit të plotë të Marrëveshjes Ohrit.
Kërkuam që këto çështje të ngrihen si temë në Parlamentin Evropian dhe në institucionet e Bashkimit Evropian, me qëllim që të adresohen shkeljet dhe vonesat në zbatimin e detyrimeve kushtetuese. Gjithashtu, theksuam se çështja dhe pozita e shqiptarëve në Maqedonin e Veriut duhet të trajtohen me prioritet, duke respektuar rolin e tyre si popull shtetformues dhe faktor kyç në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit, e jo thjesht si një pakicë etnike.
Falënderim i veçantë për Ismet Ajetin, një atdhetar i përkushtuar që jeton dhe vepron në Belgjikë, për mikpritjen e jashtëzakonshme dhe të paharrueshme në Bruksel. Po ashtu, falënderim për Ismet Ademin, kryetar i Shoqatës “Ilirida” në Bruksel, për angazhimin dhe kontributin e tij në ruajtjen e vlerave kombëtare në mërgatë.
Sa herë që vij në mërgim dhe takoj bashkatdhetarë të tillë, e kuptoj edhe më shumë se sa i fortë është kombi ynë kur qëndron i bashkuar.
Kombi mbi të gjitha!

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër