Afrim Gashi pranon Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2026

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 04 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka pranuar Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2026, gjatë një takimi me ambasadorin e BE-së, Mihalis Rokas.

“ Në takim me ambasadorin e BE-së, z. Mihalis Rokas, pranova zyrtarisht Raportin e Progresit të Komisionit Europian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2026.

Theksova që e konsiderojmë këtë raport si një pasqyrë objektive e arritjeve dhe sfidave tona, por mbi të gjitha si një udhërrëfyes për hapat e ardhshëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Vlerësoj pozitivisht faktin që ky raport evidenton përparim në funksionimin e Kuvendit, veçanërisht miratimin e Kodit Etik, Planit Strategjik 2027–2031, forcimin e mbikëqyrjes parlamentare dhe arritjen e konsensusit ndërpartiak për emërime të rëndësishme institucionale.

Me seriozitet të plotë i trajtojmë edhe vlerësimet kritike për mungesën e konsensusit politik në disa çështje dhe përdorimin e shtuar të procedurave të shkurtuara. Prandaj si Kryetar i Kuvendit, do të vazhdoj të angazhohem për një Kuvend që promovon dialogun, konsensusin dhe reformat europiane.

Përcaktimi ynë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian mbetet i palëkundur si interes strategjik dhe e ardhmja e shtetit tonë. Ky raport duhet të jetë nxitje për të ecur më shpejt, dhe për të dëshmuar se vendi ynë është i përkushtuar ndaj vlerave dhe standardeve europiane”, ka shkruar Afrim Gashi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër