Shkup, 13 maj Zhurnal.mk – Forumi ekonomik “Beyond Borders”, i mbajtur më 12 maj në Shkup, konfirmoi rritjen e interesit të investitorëve nga Maqedonia e Veriut drejt tregut shqiptar, në një kohë kur marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve po hyjnë në një fazë të re bashkëpunimi rajonal. Në forum morën pjesë përfaqësues institucionesh dhe biznesesh nga të dy vendet.
Gjatë panelit “Investment Opportunities: From Potential to Partnership”, Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Laura Plaku, prezantoi Shqipërinë si një destinacion konkurrues për investimet rajonale, duke evidentuar potencialin në sektorë si turizmi, energjia e rinovueshme, teknologjia dhe agrobiznesi.
Sipas të dhënave të prezantuara në forum, investimet nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri kanë arritur në 132 milionë euro në fund të vitit 2025, niveli më i lartë i regjistruar deri më tani. Paralelisht, në Shqipëri operojnë aktualisht 319 kompani me kapital maqedonas, të përqendruara kryesisht në tregti, shërbime dhe industri.
Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve dhe organizmave ekonomikë të të dy vendeve, ku diskutimet u fokusuan tek krijimi i partneriteteve të reja, zhvillimi i korridoreve infrastrukturore dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal. Axhenda e forumit përfshinte gjithashtu diskutime mbi investimet, turizmin dhe Korridorin VIII si projekt strategjik për lidhjen ekonomike të rajonit.
Ky forum synon të shërbejë si një platformë e përhershme bashkëpunimi mes komuniteteve të biznesit në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.
