Shkup, 7 korrik, Zhurnal.mk – “Qëndrojmë fort në qëndrimin tonë se shtetit i nevojitet një njësi e vetme zgjedhore, por me lista të hapura për deputetë dhe me prag zgjedhor prej 5 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në Listën Zgjedhore”, deklaroi për mediat koordinatorja e grupit parlamentar të “Frontit Evropian” dhe deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Rina Ajdari, pas takimit të mbajtur në Kuvend mes partive politike për Kodin Zgjedhor.
Ajo theksoi se bisedimet e sotme për miratimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor nuk kanë arritur sukses.
“Me keqardhje ju informoj se bisedimet e sotme për miratimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor nuk patën sukses. Dhe nuk dështuan për fajin e të gjithëve, por për shkak të tërheqjes së disa partive politike nga qëndrimet për të cilat më herët kishim arritur marrëveshje. BDI me muaj të tërë ka marrë pjesë aktivisht dhe konstruktivisht në grupin e punës. Për çështjet kyçe ishte arritur kompromis, ndërsa për disa të tjera nuk u arrit marrëveshje. Megjithatë, propozimi i harmonizuar u dorëzua në Kuvend dhe BDI e nënshkroi pikërisht në formën e dakorduar në grupin e punës. Pas dorëzimit të propozimit në Kuvend, VMRO‑DPMNE u tërhoq nga dy pika thelbësore të marrëveshjes: së pari, nga votimi elektronik i diasporës, duke kërkuar që votimi të bëhet me postë; dhe së dyti, nga marrëveshja që aktet nënligjore të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për votimin elektronik të diasporës të miratohen me konsensus, duke kërkuar që ato të miratohen me shumicë votash”, tha Ajdari.
Sipas Ajdarit, kjo është e papranueshme për BDI‑në, sepse – siç tha ajo – hap mundësi për inxhinieri politike dhe tejkalim me vota, siç ka ndodhur në vitin 2024, kur anëtarja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ditmire Shehu, ishte – sipas saj – e tejkaluar me vota nga përfaqësuesit e VMRO‑DPMNE‑së, SDSM‑së dhe VREDI‑t.
Ajdari theksoi se çdo ndryshim dhe plotësim i Kodit Zgjedhor duhet të miratohet me konsensus ndër‑etnik dhe ndër‑partiak.
“Kjo nuk është vetëm çështje procedure, por garanci për besimin në procesin zgjedhor dhe për legjitimitetin e tij demokratik. Edhe një herë potencojmë se çdo ndryshim i Kodit Zgjedhor kërkon konsensus ndër‑etnik dhe ndër‑partiak. BDI nuk do të pranojë zgjidhje të njëanshme që cenojnë barazinë politike, përfaqësimin e drejtë dhe besimin në procesin zgjedhor”, deklaroi deputetja Ajdari.
