Aksidenti i Llaskarcës rikthehet në Apel, më 10 dhjetor shqyrtohet sërish rasti “Durmo Turs”

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 tetor, Zhurnal.mk – Gjykata e Apelit në Shkup më 10 dhjetor do ta shqyrtojë sërish në seancë publike rastin e aksidentit tragjik të autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë, pasi Gjykata Supreme anuloi vendimin e Apelit dhe e ktheu lëndën në rigjykim.

Në aksidentin tragjik, i cili ndodhi më 13 shkurt 2019, humbën jetën 16 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë u lënduan.

Në shkallën e parë, të gjashtë të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burgim nga katër deri në 14 vjet.

Në maj të vitit 2025, Gjykata e Apelit i kishte rritur dënimet për katër prej të akuzuarve. Pronarit të “Durmo Turs”, Durmish Belulit, dënimi iu rrit nga katër në 10 vjet burg, ndërsa përgjegjësit për transport, Remzi Miftari, nga gjashtë në 10 vjet.

Ndërkohë, dy punonjësve të kontrollit teknik dënimet iu rritën nga pesë në shtatë vjet burg.

Gjykata Supreme i pranoi kërkesat për rishqyrtim të jashtëzakonshëm, duke vlerësuar se Gjykata e Apelit nuk kishte dhënë arsyetime mjaftueshëm konkrete dhe të qarta për rolin individual të secilit prej të dënuarve dhe lidhjen e veprimeve të tyre me shkaqet e tragjedisë.

Me vendimin e Gjykatës Supreme, çështja është kthyer sërish para Gjykatës së Apelit në Shkup, e cila më 10 dhjetor do ta shqyrtojë rastin në seancë publike dhe do të vendosë përsëri për përgjegjësinë penale dhe dënimet e të akuzuarve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër