Protestë në Gjykatën e Kumanovës: 75 punonjës kundër kryetares, Këshilli Gjyqësor hap rrugën për hetimin e ankesave

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Këshilli Gjyqësor pranon parashtresën e administratës kundër kryetares së Gjykatës së Kumanovës

Kumanovë, 8 tetor, Zhurnal.mk – Këshilli Gjyqësor, me 8 vota “pro” dhe 2 “kundër”, ka pranuar parashtresën e administratës gjyqësore kundër kryetares së Gjykatës Themelore të Kumanovës, Snezhana Manev.

Nga gjithsej 90 të punësuar në administratën e gjykatës, 75 kanë nënshkruar parashtresën. Punonjësit më herët kanë protestuar para gjykatës, duke shprehur pakënaqësi lidhur me atmosferën dhe kushtet e punës.

Sindikata UPOZ pretendon se kryetarja Manev ka ushtruar mobing ndaj të punësuarve, si dhe se ka përdorur fyerje personale dhe fyerje mbi baza kombëtare ndaj punonjësve.

Pas pranimit të parashtresës, Këshilli Gjyqësor ka formuar një grup pune, i cili do t’i verifikojë pretendimet e administratës dhe do të shqyrtojë situatën në Gjykatën Themelore të Kumanovës.

Kryetarja e gjykatës, Snezhana Manev, i ka mohuar akuzat. Ajo ka pretenduar se pas protestës qëndrojnë disa punonjës të cilët më parë janë ndëshkuar për kryerje të papërgjegjshme të detyrave të tyre.

Manev ka deklaruar se nga të gjithë të punësuarit kërkon angazhim maksimal në kryerjen e detyrave dhe se nuk do të bëjë kompromis kur bëhet fjalë për funksionimin e gjykatës.

Grupi i punës i formuar nga Këshilli Gjyqësor pritet të shqyrtojë pretendimet e të punësuarve dhe të konstatojë gjendjen në gjykatë përpara se të ndërmerren hapa të mëtejshëm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër