Tiranë, 28 prill, Zhurnal.mk – Në të gjitha bashkitë bregdetare të vendit ka nisur aksioni kombëtar i pastrimit, që i paraprin përgatitjeve për sezonin turistik.
Në kuadër të këtij aksioni edhe strukturat e bashkisë Lezhë janë angazhuar për pastrimin e plazhit ranor të Tales, që shtrihet në një vijë bregdetare rreth 7 kilometra, me një gjerësi rëre që shkon nga 100 në 150 metra.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga aksioni i zhvilluar në plazhin e Tales në Lezhë, vetëm 7 km larg rrugës nacionale Tiranë-Lezhë.
Plazhi i Tales shtrihet nga cepi i lagunës Kune-Vain deri në fillim të deltës së lumit Mat dhe vlerësohet si një plazh familjar për qetësinë që ofron.
Ky plazh frekuentohet jo vetëm nga pushuesit vendas, por edhe ata nga Kosova, të cilët e kanë zbuluar si destinacion të ri, familjar dhe të qetë.
Distanca e shkurtër me kryeqytetin dhe infrastruktura rrugore e afrojnë më shumë këtë zonë turistike me pushuesit. Pastërtia e ujit dhe rërës, hapësirat e bollshme publike dhe çmimet e favorshme janë arsyet pse pushuesit po e kërkojnë plazhin e Tales gjithnjë e më shumë.
Pas pastrimit të bregdetit pushuesit vendas, por edhe turistët e huaj do të kenë mundësi të pushojnë në ambiente më të pastra.
Aksioni kombëtar i pastrimit iniciohet nga Ministria e Mjedisit në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Arsimit, në aksionin kombëtar të pastrimit janë angazhuar po ashtu struktura të Ministrisë së Mbrojtjes, bashkive, organizatave mjedisore dhe qindra vullnetarë.
