Veles, 15 maj Zhurnal.mk – Autoritetet amerikane kanë ngritur aktakuzën e parë lidhur me mashtrimet me para, kartela dhe monedha të rreme “Trump”, të krijuara nga persona nga Velesi. Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi se janë akuzuar 25-vjeçari Goran Spiridonov dhe 39-vjeçarja Kristina Janeva, të dy nga Velesi, për mashtrim ndaj një numri të madh qytetarësh amerikanë.
Sipas autoriteteve amerikane, hetimi është zhvilluar nga një prokuror në New York dhe agjentë të FBI-së. Të dy akuzohen për mashtrim dhe mashtrim elektronik, vepra për të cilat parashihet dënim deri në 20 vjet burg, si dhe për vjedhje të rëndë identiteti, që bart dënim të detyrueshëm prej dy vitesh burg.
Në njoftim thuhet se të akuzuarit, së bashku me persona të tjerë të përfshirë në skemë, gjatë vitit 2023 kanë shitur kartela të rreme “Trump” përmes kanaleve në Telegram dhe platformës online Marketplace 1. Gjithashtu ishte krijuar edhe një sistem i rremë bankar i quajtur “TRB”.
Ata u premtonin mbështetësve të Donald Trump se me blerjen e kartelave do të ndihmonin fushatën presidenciale të tij dhe se kartelat përmbanin dhjetëra apo qindra mijëra dollarë, të cilat do të mund t’i tërhiqnin pasi Trump të fitonte zgjedhjet.
“Të gjitha këto pretendime janë gënjeshtra. Produktet ‘Trump Bucks’ janë pa vlerë, nuk mund të shkëmbehen në asnjë bankë dhe nuk kanë asnjë lidhje me presidentin Trump, familjen apo administratën e tij”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Drejtësisë.
Ndryshe, Radio Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase në shkurt të vitit 2024 publikoi një hulumtim për këto mashtrime dhe zbuloi rreth 70 persona nga Velesi të përfshirë në shitjen e kartelave të rreme “Trump”. Pas publikimit të hulumtimit, hetime hapi edhe Prokuroria për Krim të Organizuar në Maqedoninë e Veriut, por rasti nuk mori epilog.
Nga MPB-ja dhe Prokuroria thanë se kanë bashkëpunuar me hetuesit amerikanë dhe ua kanë dorëzuar informacionet e nevojshme. Deri tani nuk ka kërkesë për fletarrest ndërkombëtar ndaj dy të akuzuarve.
Velesi ishte bërë i njohur që në vitin 2016 për krijimin dhe shpërndarjen e lajmeve të rreme gjatë zgjedhjeve amerikane në favor të Donald Trump. Pasi shumë prej faqeve u mbyllën, aktivitetet vazhduan përmes grupeve në Telegram, ndaj në opinion u quajtën “telegramxhinj”. Ky është rasti i parë që merr epilog juridik lidhur me këto mashtrime.
