Alarm në Itali, mungesë karburanti në disa aeroporte; rrezikohen fluturimet

Nga Xh M
793 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Romë, 13 korrik Zhurnal.mk – Disa aeroporte në Itali, veçanërisht në veri të vendit, po përballen me mungesë të karburantit për avionët, duke detyruar autoritetet aeroportuale të vendosin kufizime në furnizim.

Sipas Corriere della Sera, aeroporti i Bolonjës ka vendosur të kufizojë furnizimin me karburant, pasi një nga furnizuesit kryesorë, Air BP, nuk ka marrë sasinë e planifikuar të karburantit për shkak të vonesës së një anijeje që transportonte jet fuel.

Për këtë arsye pritet të publikohen disa NOTAM (njoftime zyrtare për operatorët e aviacionit), ndërsa në Bolonjë kufizimet parashikohet të jenë në fuqi deri më 23 korrik, megjithëse kjo datë mund të ndryshojë.

Pavarësisht situatës, fluturimet në aeroportin e Bolonjës vijojnë të zhvillohen normalisht.

Sipas masave të reja, avionët me fluturime që zgjasin më pak se tre orë nuk do të mund të furnizohen me më shumë se 2 mijë litra karburant, sasi që siguron rreth dy orë autonomi. Si pasojë, disa avionë do të duhet të marrin më shumë karburant në aeroportin nga nisen.

Kufizimet nuk prekin fluturimet shtetërore dhe ato mjekësore.

Burimet bëjnë të ditur se furnizuesi tjetër i karburantit në aeroportin e Bolonjës, Carboil, nuk po përballet me probleme.

Sipas Corriere della Sera, pas krizës në Gjirin Persik Italia kishte arritur të shmangte rrezikun e mungesës së karburantit falë rritjes së prodhimit vendas dhe importeve nga vende si Shtetet e Bashkuara dhe Nigeria. Megjithatë, vonesa në furnizimin e Air BP ka krijuar vështirësi të përkohshme në disa aeroporte të vendit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër