Alarmante kriza demografike, Iseni kërkon masa urgjente për rritjen e lindshmërisë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 tetor Zhurnal.mk – Kriza demografike në Maqedoninë e Veriutështëshqetësuese, ku rënia e lindshmërisë, shtimi i vdekshmërisë dhe emigrimi i të rinjve ndikojnë gjithnjë e më shumë në tkurrjen e popullsisë. Kjo dukuri, që ka prekur në tërësi të gjithë vendin, ngre shqetësime për të ardhmen demografike dhe qëndrueshmërinë e popullsisë, ndërsa profesori universitar Fati Iseni ngre alarmin për përmasat shqetësuese të këtij fenomeni.

“Viteve të fundit, ose në dekadën e fundit, vendi është futur në spiralën e fundosjes në kuptimin demografik, për shkak të uljes së natalitetit, që është mjaft i dukshëm, dhe gjithashtu, ngritja e numrave të mortalitetit, që reflekton në shtim natyror negativ. Komponenti tjetër është edhe ikja jashtë vendit, kryesisht e shtresës më vitale të popullsisë, respektivisht e rinisë, e cila sigurisht reflekton në moskurorëzim, që nënkupton pastaj edhe lindjen e numrit të vogël të fëmijëve. Kjo, ta quaj, domethënë, mortaja e bardhë, pothuajse ka pushtuar gjithë vendin. Tani nuk flasim për një komunë të caktuar, ose për një zonë të caktuar në vend, por pothuajse kryesisht vendi është në një krizë të thellë demografike”, deklaroi profesori universitar Fati Iseni.

Profesori universitar Fati Iseni, thote senevojiten politika konkrete për të mbështetur të rinjtë dhe familjet e reja. Sipas tij nëse nuk ndërmerren masa konkrete për frenimin e krizës demografike, Maqedonia e Veriut në dekadat e ardhshme mund të përballet me pasoja të rënda, përfshirë zbrazjen e vendbanimeve dhe mungesën e fuqisë punëtore.

“Nëse e lëmë këtë në rënie të lirë, ne besoj se ndoshta pas 20-30 viteve do të luftojmë diku të kemi vetëm diku mbi 1 milion banorë, me rrezik që zbrazja e këtij vendi të kompensohet me emigrantë nga pjesët e lindjes, të cilët vetëm se kanë filluar të qarkullojnë—mos ta them të vërshojnë—në shumë vendbanime dhe biznese. Sigurisht që kjo është e natyrshme për një sektor privat apo biznes privat, pasi atij i duhet krahu i punës; nëse atë nuk e gjen në vend, do ta rekrutojë edhe nga jashtë”, theksoi Iseni.

Iseni thekson se, përveç mbështetjes financiare për çiftet e reja, një nga pengesat kryesore është pamundësia për të siguruar banesë për shkak të çmimeve të larta. Ai propozon që edhe komunat të përfshihen në zgjidhjen e këtij problemi, duke shfrytëzuar mundësitë për t’u siguruar strehim çifteve të reja, me qëllim krijimin e kushteve më të favorshme për formimin e familjeve dhe rritjen e lindshmërisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër