Prishtinë, 17 prill, Zhurnal.mk – Ushtruesja e detyrës së Presidentes dhe Kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu, ka blerë këtë vit një banesë me vlerë 128.740 euro bashkë me bashkëshortin, sipas deklarimit të pasurisë të publikuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.
Bëhet fjalë për një banesë me sipërfaqe 128,74 metra katrorë, e blerë me kredi.
Tek detyrimet financiare, Haxhiu ka deklaruar një kredi në vlerë 160 mijë euro, ku pjesa e mbetur është 159.089 euro.
Bashkëshorti i saj, anëtar i VV-së në KQZ, ka deklaruar një banesë në vlerë 60 mijë euro dhe një tokë 15 mijë euro.
Sa i përket pasurive të luajtshme, Haxhiu ka deklaruar një veturë në pronësi të përbashkët, vlera e së cilës është 9.700 euro.
Për para të gatshme, ajo ka deklaruar 1.531 euro, ndërsa bashkëshorti ka detyrime financiare prej 1.100 euro.
Në të hyrat vjetore, Haxhiu ka renditur pagën nga Kuvendi në vlerë 22.658 euro, mëditje 234 euro dhe 1.140 euro të tjera nga shtesat dhe kompensimet.
Bashkëshorti i saj ka përfituar pagë prej 16.739 euro nga KQZ dhe mëditje 1.747 euro nga udhëtimet jashtë vendit.
