Gostivar – Aleanca për Shqiptarët vlerëson se situata e krijuar në Gostivar pas problemeve me furnizimin me ujë po shkon drejt normalizimit të plotë, falë angazhimit të institucioneve lokale dhe qendrore, si dhe mbështetjes së organizatave dhe të gjithë aktorëve të përfshirë.
ASH shpreh mirënjohje për gatishmërinë dhe bashkëpunimin e treguar nga të gjitha palët, duke theksuar se shtabet e krizës, në nivel qendror dhe lokal, po funksionojnë në mënyrë efikase.
Sipas Aleancës për Shqiptarët, Komuna e Gostivarit po bashkëpunon ngushtë me institucionet kompetente dhe ka vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e saj për tejkalimin sa më të shpejtë të situatës.
ASH thekson se po punohet intensivisht për rikthimin e gjendjes në normalitet, duke shprehur pritjen se në një afat të shkurtër do të sigurohet fillimisht ujë për përdorim teknik dhe më pas edhe ujë i sigurt për pije.
Aleanca për Shqiptarët u bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të mos e shfrytëzojnë situatën për përfitime politike në kurriz të qytetarëve.
“Nuk ndërtohet rejting politik mbi fatkeqësitë e dikujt tjetër. Në këtë moment, prioritet duhet të jetë tejkalimi i situatës dhe mbështetja e qytetarëve”, thuhet në reagim.
Në fund, Aleanca për Shqiptarët kërkon që të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë lidhur me këtë rast të përcaktohen përmes një procedure të drejtë, objektive dhe transparente.
