Ali Ahmeti përkujton hoxhë Jakup Asipin në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta

Nga B.M
880 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 7 janar – Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përkujtuar sot 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të dijetarit dhe veprimtarit të njohur Jakup Asipi, duke theksuar se “para veprës heshtin fjalët”.

Jakup Asipi lindi më 2 shkurt 1951 në fshatin Sllupçan. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmin në Damask të Sirisë, ndërsa studimet universitare në Al-Az’har të Egjiptit. Studimet postdiplomike i vijoi në Bejrut të Libanit.

Gjatë viteve 1985–1990 shërbeu si imam në një xhami në Leverkusen të Gjermanisë, ku dha kontribut të çmuar në kultivimin e vlerave fetare, morale, kulturore dhe kombëtare. Në vitin 1990 u kthye në vendlindje, i vetëdijshëm për gjendjen e rëndë të popullatës shqiptare, duke u angazhuar drejtpërdrejt për përmirësimin e saj.

Sipas Ahmetit, ligjëratat e Asipit shquheshin për përpikëri dhe guxim, çka e bëri atë të përballej edhe me kërcënime dhe marrje të shpeshta në pyetje nga policia maqedonase. Gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut, Jakup Asipi u shqua si një ndër strategët kryesorë në organizimin dhe përkrahjen e luftës, i bindur se vetëm përmes kryengritjes mund të arriheshin liritë dhe të drejtat e popullit.

Jakup Asipi ndërroi jetë më 7 janar 2006, si pasojë e një aksidenti rrugor në autostradën Shkup–Kumanovë. Përkujtimi i sotëm, sipas Ahmetit, është një nderim për figurën dhe veprën e tij në shërbim të fesë, kombit dhe lirisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër