Ali Hetemi lufton tek “Universum Promotion” dhe tek Arnold Gjergjaj

Nga Abdyl Iseni
455 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ali Hetemi, djaloshi me prejardhje nga Lugina e Preshevës, i cili jeton dhe vepron në Heilbronn të Gjermanisë, ka nisur vrullshëm karrierën e tij në ekipin e ri “ArenaRing Management Promotion”.

Menaxheri i tij i ri, Dyli Salihu, i ka siguruar dy ndeshje shumë të rëndësishme në karrierë, me qëllim që boksieri shqiptar, me fitore të mundshme, të arrijë në Top 100 të botës.

Ndeshja e parë do të zhvillohet më 23 maj në Hamburg të Gjermanisë, në kuadër të organizimit të “Universum Boxing Promotion”, një emër i madh në botën e boksit, ku në të kaluarën kanë boksuar edhe vëllezërit Klitschko dhe shumë boksierë të tjerë të njohur.

Ndërkohë, ndeshjen e dytë do ta zhvillojë më 13 qershor në Basel të Zvicrës, në organizimin e legjendës së boksit botëror, Arnold Gjergjaj.

“Ali Hetemi është një boksier shumë i talentuar, i cili deri më tani ka zhvilluar 11 ndeshje dhe i ka fituar të gjitha. Pas bisedës që kemi pasur me prindin e tij, i cili është edhe pjesë e stafit tonë, Mizan Hetemi, jemi marrë vesh që ta marrim këtë boksier në ombrellën tonë dhe të punojmë seriozisht me këtë djalosh shumë premtues. Dhe ja, po fillojmë duke i siguruar dy ndeshje në dy evente të mëdha,” tha menaxheri Dyli Salihu.

Ai shtoi se kundërshtarët do të jenë:

Obin Michael në Hamburg

Ndërsa në Basel do të përballet me boksierin nga Venezuela, Joniker Tovar, i cili ka 23 fitore dhe vetëm 7 humbje

“Shpresojmë që me dy fitore ai të ngjitet në Top 100. Ndërsa në muajin nëntor kemi në plan të organizojmë një event të madh të boksit profesionist në Heilbronn, ku Ali Hetemi do të luftojë për një titull të rëndësishëm. Për ndeshje të tilla na duhet edhe mbështetje nga sponsorët dhe besojmë se do ta sigurojmë shumë shpejt, pasi boksieri ynë e meriton këtë,” përfundoi Salihu.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër