Shkup, 3 korrik, Zhurnal.mk – Në konferencën e sotme për media, anëtari i Kryesisë Qendrore të BDI‑së, Faton Aliti, vlerësoi se emërimi i Ivan Stoilkoviqit si ministër i vetëqeverisjes lokale përbën sinjal politik për, siç tha, rishikimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Aliti theksoi se lëvizja e Stoilkoviqit nuk është thjesht ndryshim kadrovik, por sipas tij, paralajmërim për hapjen e çështjes së decentralizimit dhe ndarjes territoriale të vitit 2004.
Ai akuzoi se gjatë periudhës së kaluar janë ndërmarrë hapa që, sipas BDI‑së, e dobësojnë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke përmendur gjuhën shqipe, heqjen e balancuesit dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.
“Kur sot flitet për uljen e numrit të komunave nga 80 në 50, nuk bëhet fjalë për racionalizim administrativ, por për rihapje të një çështjeje që ishte mbyllur me marrëveshje paqësore”, tha Aliti.
Nga BDI theksuan se ndarja territoriale e vitit 2004 është pjesë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe se çdo përpjekje për ta ndryshuar atë do të përballet, siç u tha, me rezistencë të fortë politike, institucionale dhe qytetare.
Aliti i bëri thirrje Qeverisë të mos hapë çështje të lidhura me organizimin territorial, por të fokusohet në forcimin e vetëqeverisjes lokale, decentralizimin fiskal dhe luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit, gjuha shqipe, përfaqësimi i drejtë, decentralizimi dhe ndarja territoriale e vitit 2004 përbëjnë “vija të kuqe” që nuk duhet të tejkalohen.
