Aliu: Në listën esenciale përfshihen barna për lënien e duhanit

Nga D. V.
444 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 maj, Zhurnal.mk – Me rastin e Ditës Botërore pa Duhan, Ministria e Shëndetësisë, së bashku me ISHP-në dhe OBSH-në, i bashkohet shënimit të fushatës globale të OBSH-së me temën “Zbulimi i tërheqjes, kundërshtimi i varësisë nga nikotina dhe duhani”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, theksoi se në bashkëpunim me OBSH-në, Institutin e Shëndetit Publik, si dhe Qendrat e Shëndetit Publik, vetëqeverisjen lokale dhe shtëpitë lokale të shëndetit, kanë nisur aktivitete të koordinuara për forcimin e shërbimeve për ndërprerjen e duhanpirjes në nivel lokal.

“Dua të kujtoj edhe një risi tjetër të rëndësishme që e kemi vendosur, e ajo është se Ministria e Shëndetësisë e përditësoi listën esenciale të barnave dhe në të për herë të parë janë përfshirë barna për lënien e duhanit dhe mjete kontraceptive, flasterët transdermalë dhe çamçakëzët me nikotinë.Qëllimi është të sigurohet prania e tyre në treg, të njihen nga qytetarët dhe nga kompanitë farmaceutike nevoja për përdorimin e tyre, si dhe mjekët amë t’i përshkruajnë ato”, theksoi në press-konferencën e sotme ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Paralelisht, ai shtoi se po punohet edhe në forcimin sistematik të këtij segmenti, përmes propozim-ligjit të ri për mbrojtje nga përdorimi i produkteve të duhanit ose produkteve të ngjashme, i cili është harmonizuar me normat dhe rregulloret evropiane dhe mundëson avancim afatgjatë të mbrojtjes së shëndetit publik në këtë aspekt.

“Vazhdojmë së bashku me partnerët, OBSH-në dhe ISHP-në, me angazhime të përbashkëta për ngritjen e vetëdijes publike për lënien e duhanpirjes dhe mbrojtjen e shëndetit. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është qasje më e madhe në këshillimoret për ndërprerjen e duhanpirjes, forcimi i sistemit të referimit, si dhe mbështetje e vazhdueshme për këta persona, me fokus të veçantë te të rinjtë”, shtoi Aliu.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër