Tiranë, 29 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo priti sot në takim ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa.
Ambasadorja uroi ministrin Demo, për emërimin në detyrë, ndërsa theksoi rëndësinë e forcimit të shtetit të së drejtës në kuadër të rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Gjatë takimit u diskutua për prioritetet dhe sfidat që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, menaxhimin e migracionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
“Shteti i së drejtës mbetet në qendër të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. E urova ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, për emërimin e tij dhe diskutuam mbi punën që na pret për të vijuar luftën kundër krimit të organizuar, për të menaxhuar në mënyrë efektive migracionin dhe për të forcuar shtetin e së drejtës”, u shpreh ambasadorja Moreira de Sousa.
Gjatë takimit u diskutua edhe për qeverisjen vendore dhe rëndësinë e forcimit të kapaciteteve të bashkive për ofrimin e shërbimeve publike.
“Diskutuam gjithashtu për qeverisjen vendore dhe për rëndësinë që kanë bashkitë e forta dhe efikase në ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarët”, theksoi ambasadorja e BE-së.
