Andonovski: Çertifikata të reja elektronike për regjistrim të produkte bujqësore dhe verës

Nga D V
577 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 korrik, Zhurnal.mk – Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, sot promovoi dy shërbimet e reja elektronike të Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, të cilat tashmë janë të qasshme përmes Portalit Kombëtar të Shërbimeve. Bëhet fjalë për shërbimet:

“Vërtetim cilësie – certifikatë për produkte bujqësore, përpunime dhe mallra”, dhe

“Vërtetim cilësie V1 – certifikatë për eksport të verës”.

Sipas Andonovskit, digjitalizimi i procedurave administrative do t’u mundësojë kompanive t’i marrin dokumentet e nevojshme më shpejt, duke ulur kostot dhe duke rritur konkurrueshmërinë e tyre.

“Koha e nevojshme për marrjen e një dokumenti është kosto direkte për kompanitë. Me shërbimet e reja elektronike po thjeshtojmë procedurat dhe po krijojmë kushte më të mira për kompanitë që prodhojnë, eksportojnë dhe e lëvizin ekonominë maqedonase”, deklaroi Andonovski.

Shërbimet e reja janë të destinuara për prodhuesit bujqësorë, përpunuesit, kantinat e verës dhe eksportuesit. Certifikatat, përveç në formë të shtypur, do të mund të merren edhe në formë elektronike, me të njëjtën vlefshmëri juridike, duke eliminuar nevojën për tërheqje fizike të dokumenteve dhe duke thjeshtuar të gjithë procesin.

Është digjitalizuar edhe pagesa e taksave administrative, të cilat tashmë mund të paguhen elektronikisht, përmes aplikacioneve të bankingut elektronik, pa përdorur fletëpagesa në letër.

Andonovski theksoi se transformimi digjital kontribuon edhe në më shumë transparencë, pasi procedurat elektronike lënë gjurmë të qarta digjitale, zvogëlojnë mundësitë për vendimmarrje subjektive dhe kufizojnë kontaktin e panevojshëm mes institucioneve dhe përdoruesve.

Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, Ivica Angelovski, vlerësoi se shërbimet e reja elektronike do të sigurojnë procedura më të shpejta dhe më efikase për komunitetin e biznesit, duke u mundësuar kompanive t’i marrin certifikatat e nevojshme më lehtë.

Projekti është realizuar në bashkëpunim mes Ministrisë së Transformimit Digjital dhe Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, me mbështetjen e Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ). Në periudhën e ardhshme, shërbimet e reja do të prezantohen edhe para komunitetit të biznesit në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër