Shkup, 3 mars – Në një paraqitje në emisionin “Top Tema”, eksperti i energjetikës Mitko Andreevski theksoi se, në kushtet e situatës aktuale në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrin përsipër një pjesë të furnizimit të Evropës me naftë.
“Dua të rikujtoj se produktovodi mes Greqisë dhe Maqedonisë është nën patronazhin e SHBA-ve. Ata kërkojnë garanci që ky produktovod të jetë ekonomikisht i qëndrueshëm dhe të ndalojë tregun e zi të furnizimit me naftë dhe derivate nafte nga Greqia përmes transportit tokësor. Prandaj, SHBA-të kanë ndikim serioz edhe në rajon. Së dyti, sa i përket furnizimit me gaz natyror, do të shihni se të dy terminalet në Greqi furnizohen me gaz nga kompani amerikane, pavarësisht se ku lëngëzohet apo nga vjen ai gaz – qoftë edhe nga rajone të Afrikës ku aktualisht ka sasi të mëdha gazi natyror. Duhet theksuar se zhvillimi i rrjetit energjetik në rajon po kalon nga gazsjellësit klasikë horizontalë drejt ndërtimit të gazsjellësve vertikalë, të cilët do të transportojnë gazin nga jugu i kontinentit drejt veriut. Një shembull i tillë është gazsjellësi mes Greqisë dhe Bullgarisë”, deklaroi Andreevski.
Më tej, ai foli edhe për sektorin energjetik në rajon dhe ndikimin amerikan.
“Gjatë 3–4 muajve të fundit, Bullgaria, Serbia dhe Hungaria kanë pasur probleme me investimet e Gazprom-it. Ato janë vënë nën presion nga sanksionet amerikane për të ndalur prodhimin, ose për t’i privatizuar, rishitur e të ngjashme. Unë mendoj se amerikanët kanë ‘asin në dorë’ për furnizimin me naftë në rajon, pra kanë një strategji të qartë dhe të plotë”, përfundoi Andreevski.

