Shkup, 24 korrik, Zhurnal.mk – Nga Posta e Maqedonisë ka mbërritur njoftim se puna është normalizuar, pasi Dimitar Apasiev reagoi në rrjetet sociale për mosfunksionimin e saj. Arsyeja pse tre ditë nuk janë pranuar dërgesa ka qenë moti i ligë.
“Nëse Dimitar Apasiev nuk ka fakte, ai i drejtohet gënjeshtrave, fyerjeve dhe populizmit të lirë. Po, Posta nuk punoi tre ditë për shkak të motit të rëndë dhe pasojave teknike që shkaktoi, por sot puna është plotësisht e normalizuar dhe të gjitha shërbimet zhvillohen pa pengesa. Në vend që të tregojë mirëkuptim elementar për një situatë të jashtëzakonshme, Apasiev zgjodhi të përhapë dezinformata, të fyejë mijëra të punësuar dhe të mbledhë poena politikë mbi kurrizin e institucionit. NP Posta nuk do të jetë peng i frustrimeve politike të askujt. Qytetarët meritojnë fakte, e jo trillime dhe shfaqje të lira politike”, thuhet në postimin e Postës në profilin e saj në Facebook.
Dje, Posta informoi se ka pasur problem me infrastrukturën softuerike:
“AD Posta e Maqedonisë së Veriut e informon opinionin se është e vërtetë që tashmë tre ditë sistemi informatik i kompanisë nuk është në funksion për shkak të defektit në infrastrukturën e serverëve. Në këtë moment, arsyet e defektit ende nuk janë të njohura dhe nuk mund të thuhet se ai ka ndodhur si pasojë e motit të ligë apo ndonjë arsyeje tjetër konkrete. Pas normalizimit të plotë të sistemit do të kryhet analizë e detajuar për të konstatuar shkaqet e defektit”, shkruan Posta, po ashtu në Facebook.
Më herët, Apasiev shkroi:
“Posta e Maqedonisë tashmë ditën e tretë nuk pranon letra! Avokatët humbin afate për ankesa. Askush nuk ua zgjidh problemin.
Ndërkaq, Posta na është strehë për këta ‘sipas Marrëveshjes Kornizë’. Disa prej tyre dinë vetëm numra në maqedonisht. Shkronja hiç! Nuk e di nëse e dini, por ka të punësuar që vuajnë dënim në Itali, ndërsa këtu u ecën rroga!?
Dhe menjëherë më lehtësohet shpirti kur lexoj se posta e Majave dhe Aztekëve në Amerikën Latine (në Mesjetë) ka qenë më e shpejtë se e jona! Dhe kjo nuk është sarkazëm, por fakt i konfirmuar. Ja, për shembull, mua urimi i një ministri për Vitin e Ri më erdhi në prill.”
