Editorial / Çfarë shteti jemi ne kur posta shtetërore nuk funksionon për më shumë se tre ditë!

Nga I.A
722 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 korrik – Sistemi informatik i “Postës së Maqedonisë së Veriut” tashmë tri ditë është jashtë funksionit për shkak të një defekti në infrastrukturën e serverëve. Ende nuk dihen shkaqet e defektit dhe nuk dihet nëse do të humbin të dhënat e personave që kanë llogari në postën shtetërore. Por, fatkeqësia është se nuk është ky problemi i vetëm. Kjo postë funksionon e çorientuar, pa asnjë përgjegjësi. Asnjëherë një letër nuk arrin në kohën e duhur, në destinacionin e duhur, shkruan “Zhurnal.mk”.

Dështojnë serverët, posta del jashtë funksionit për më shumë se tre ditë!

Sistemi informatik i SHA Posta e Maqedonisë së Veriut tashmë tri ditë është jashtë funksionit për shkak të një defekti në infrastrukturën e serverëve. Pas rikthimit të plotë të sistemit do të realizohet një analizë e detajuar për të përcaktuar shkakun e defektit.

Ndërkohë, nga shërbimet profesionale të SHA Posta e Maqedonisë së Veriut, njoftojnë se së bashku me ekspertë të jashtëm të angazhuar, po punojnë intensivisht për rikthimin e plotë të sistemit informatik në funksion. Prioriteti kryesor është rikuperimi i sigurt i sistemit pa humbur asnjë të dhënë, shkruan “Zhurnal.mk”.

Asnjëherë një letër nuk arrin në kohë!

Fatkeqësisht, qytetarët vazhdimisht kanë raportuar probleme me shërbimet postare në periudha të ndryshme.

Ata, ankohen se vazhdimisht ka vonesa në dorëzimin e dërgesave, ka probleme me gjurmimin të pakove dhe sjellje jo e duhur e personelit.

Kur posta nuk i dorëzon letrat në kohë, pasojat mund të jenë serioze, sidomos kur bëhet fjalë për dokumente zyrtare ose afate ligjore. Për këtë arsye, shpesh ndodhë që të ketë humbje e afateve ligjore, sepse qytetarët ose bizneset nuk i marrin në kohë njoftime për ankesa, procese gjyqësore, pagesa ose procedura administrative.

Vonesat në marrjen e faturave ose njoftimeve mund të çojnë në kamata, gjoba ose penalitete për palët. Gjithashtu problem shumë i rëndësishëm janë edhe aplikimet, lejet, certifikatat ose dokumente të tjera të cilat nuk përpunohen brenda afateve të parashikuara.

Me këtë postë që nuk funksionon siç duhet, palët humbasin mundësinë për të ushtruar të drejta ose përmbushur detyrime të përcaktuara me kontratë, dhe e gjithë kjo shkakton pasoja në pagesa dhe aktivitetin e biznesit, shkruan “Zhurnal.mk”.

Pse funksionojnë postat private dhe nuk funksionon siç duhet posta shtetërore!

Dikur postierët kishin privilegje dhe puna e tyre kishte një vlerësim të duhur. Ngjashëm edhe Posta e Maqedonisë së Veriut ishte sinonim i një suksesi. Por vitet e fundit ky institucion ka shumë probleme, ndërsa sektori privat e ka shfrytëzuar këtë zbrazëtirë dhe po funksionon më së miri.

Posta shtetërore ka vonesa dhe probleme të vazhdueshme sepse nuk kanë një menaxhim të mirë të duhur, duke përfshirë sfida organizative, financiare, teknologjike dhe të burimeve njerëzore. Nga ana tjetër, kompanitë private zakonisht ofrojnë më pak lloje shërbimesh dhe mund të zgjedhin tregjet ose dërgesat që janë më fitimprurëse.

Kompanitë private shpesh kanë më shumë fleksibilitet për të ndryshuar proceset, për të investuar në teknologji dhe për të optimizuar operacionet. Gjithashtu ata, konkurrojnë për klientë, gjë që krijon nxitje për të përmirësuar shpejtësinë, cilësinë dhe shërbimin ndaj klientit.

Fatkeqësisht, përderisa postat private e kanë prioritet konsumatorin, posta shtetërore e ka prioritet partinë politike dhe shefat e saj! Andaj, njëherë e përgjithmonë duhet të ndryshojë mendësia dhe trajtimi i konsumatorëve në Postën e Maqedonisë së Veriut, sepse dëmi që po shkaktohet tek qytetarët dhe bizneset është shumë i madh. Për këtë ç’orientim dhe dështim të njëpasnjëshëm dikush duhet të japë përgjegjësi, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër