Tiranë, 17 maj Zhurnal.mk – Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ndau sot disa çaste nga jeta e tij politike bashkë me ish-kryesocialistin Fatos Nano dhe kryetarin aktual të PS-së, Edi Rama.
Në një intervistë në ‘Euronews Albania’, Malaj u ndal te njohja me kryeministrin Rama, që siç tregoi, ndodhi në ceremoninë mortore të të atit, Kristaq Rama, ndërkohë që shoqërohej edhe nga Nano.
Më tej, Malaj komentoi stilin politik të Ramës, që sipas tij, është larg shtetformimit, ndërsa veçoi si element pozitiv emocionin dhe karizmën si lider.
“E kam njohur për herë të parë fizikisht kur i vdiq i ati dhe ne shkuam me Nanon atje, bashkë me Ben Blushin. Ishim një grup në shtëpinë e tij për ta ngushëlluar. Pastaj erdhi momenti se si u fut në politikë. Nano kishte një teori për të gjithë ata që e kritikonin, edhe me të drejtë: ‘Në vend që të kritikoni, më thoni si bëhet, hajdeni’. Kjo ishte teoria që ai thoshte gjithmonë. Edhe Rama, mesa duket, ra dakord. Me Ramën kam pasur një mendim që ia kam thënë edhe Nanos dhe po e them edhe publikisht: për mua nuk ka asnjë qelizë shtetformuese. Ka emocion, ka karizëm, por nuk e njeh shtetin. Nuk pranon të këshillohet, denigron këshilltarët e brendshëm dhe beson në mënyrë të verbër këshilltarët e huaj. Rama është viktimë e përbindëshave të tij të brendshëm”,-tha Arben Malaj./CNA
