Ariu endet nëpër Manastir, qytetarët të shqetësuar

Nga Xh M
226 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Manastir, 21 maj Zhurnal.mk – Kryetari i Manastirit përmes një postimi në “Facebook” njoftoi se janë informuar të gjitha institucionet kompetente lidhur me rastin e ariut që mbrëmë u pa duke lëvizur nëpër qytet, ndërsa pamjet e kafshës u përhapën shpejt në rrjetet sociale.

Ariu është filmuar në rrugën “Makedonska Falanga”, pranë shëtitores së qytetit, poshtë Tumbe Kafe, afër stadiumit në Manastir. Qytetarët reaguan të shqetësuar dhe kërkuan reagim të shpejtë nga institucionet për të shmangur ndonjë situatë të padëshiruar.

Në postimin e tij, kryetari i komunës bëri të ditur se ka kontaktuar me Qendrën për Menaxhim me Kriza, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Inspektoratin Shtetëror për Pylltari dhe Gjueti pranë Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, si dhe Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari.

“Ditëve të fundit ka pasur më shumë paraqitje në institucione për ari në rajonin e fshatrave Tërn, Optiçari, Poeshevo dhe Egri, ndërsa paraqitja e fundit në numrin 112 në Qendrën për Menaxhim me Kriza është bërë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm për një ari të parë në afërsi të parkut të qytetit në Manastir”, shkroi kryetari.

Ai theksoi se nga institucionet është informuar se ato tashmë po veprojnë dhe janë të njohura me gjendjen aktuale në terren.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër