Londër, 23 prill, Zhurnal.mk – Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme kane treguar një seri armëpushimesh të brishta dhe përpjekjesh diplomatike mes Izraelit dhe Libanit, si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, të ndërmjetësuara kryesisht nga Pakistani, sipas BBC.
Izrael-Liban
Më 8 prill, pas arritjes së një armëpushimi dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit, u ngritën paqartësi nëse Libani përfshihej në marrëveshje.
Irani dhe Pakistani, në rolin e ndërmjetësit, konfirmuan përfshirjen e Libanit, ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli e kundërshtuan këtë pretendim.
Ndërkohë, Izraeli vijoi shkëmbimet e zjarrit me grupin militant “Hezbollah” në Liban.
Më 14 prill, Libani dhe Izraeli zhvilluan bisedimet e para diplomatike që nga viti 1993, me synimin për të ndaluar përleshjet mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Dy ditë më vonë, më 16 prill, u arrit një armëpushim 10-ditor mes dy vendeve.
Presidenti amerikan, Donald Trump i bëri thirrje Hezbollahut ta respektojë atë, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se trupat izraelite do të mbeteshin të dislokuara rreth 10 kilometra brenda territorit jugor të Libanit, pavarësisht marrëveshjes.
Një raund i dytë bisedimesh mes Libanit dhe Izraelit pritet të zhvillohet sot, më 23 prill në Uashington.
SHBA–Iran
Po më 8 prill, Pakistani njoftoi një armëpushim dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit.
Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se marrëveshja kushtëzohej me rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Pakistani tha se marrëveshja përfshinte edhe Libanin, gjë që u pranua nga Irani, por u kundërshtua nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Më 9 prill, Irani këmbënguli për një armëpushim edhe në Liban, duke paralajmëruar se anijet që kalonin në Ngushticën e Hormuzit pa leje “do të goditeshin dhe shkatërroheshin”.
Më 11 prill, zyrtarë të lartë amerikanë dhe iranianë, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance dhe ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi zhvilluan bisedime në Pakistan që zgjatën 21 orë, por pa arritur përparim të dukshëm.
Një ditë më pas, më 12 prill, Trump shpalli bllokadën ndaj porteve iraniane.
Më 17 prill, pas një armëpushimi të përkohshëm mes Izraelit dhe Libanit, Irani hapi përkohësisht Ngushticën e Hormuzit, por e mbylli sërish pas pak kohe, duke deklaruar se ajo do të mbetej e mbyllur derisa SHBA-ja të hiqte bllokadën.
Më 19 prill, Trump njoftoi rikthimin e përfaqësuesve amerikanë në Pakistan për bisedime, por kjo nuk ndodhi pasi Irani deklaroi se nuk kishte vendosur ende për pjesëmarrjen.
Më 21 prill, presidenti amerikan pranoi të zgjasë armëpushimin për një periudhë të pacaktuar, me qëllim vijimin e negociatave.
