Arrestimet u kryen në qytetet Heidelberg dhe Këln, ndërsa kontrolle policore u zhvilluan në disa adresa në landet Baden-Württemberg, Nordrhein-Westfalen dhe Hessen. Sipas Prokurorisë Federale në Karlsruhe, kontrollet përfshinë edhe një tjetër të dyshuar në Hürth, pranë Këlnit.
Sipas hetuesve, njëri prej dy të arrestuarve dyshohet se kishte lidhje me një person që pretendohet se ka pasur rol drejtues në organizatën terroriste islamike HAYI dhe që është akuzuar zyrtarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prokuroria bëri të ditur se dy të dyshuarit, së bashku me persona të tjerë, kishin krijuar në fund të vitit 2025 një grup të veçantë me qëllim përgatitjen dhe kryerjen e sulmeve të tjera në Gjermani dhe në vende të ndryshme të Evropës. I dyti nga të arrestuarit dyshohet se ishte gjithashtu anëtar i këtij grupi.
Sipas deklaratës zyrtare, grupi kishte siguruar financime dhe kishte rekrutuar disa persona jashtë organizatës për të kryer sulme me mjete shpërthyese. Hetuesit dyshojnë se, në dy net radhazi në fund të marsit 2026, persona të paidentifikuar, me urdhër të grupit, kishin shkuar pranë sinagogave në Këln dhe në një qytet tjetër evropian, duke dyshuar se transportonin pajisje shpërthyese.
Plani i sulmeve nuk u realizua për arsye që ende nuk janë bërë të ditura, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Federale. Hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e plotë të rrethanave të rastit vijojnë.
