Arrestohet 32-vjeçari nga Kavadari, dyshohet se i mori 9 mijë euro një gruaje nga Kumanova

Nga Xh M
807 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kumanovë, 24 korrik Zhurnal.mk – Një 32-vjeçar nga Kavadari është arrestuar pasi u kap në flagrancë duke marrë 2.000 euro nga një 50-vjeçare nga Kumanova, të cilën dyshohet se e kishte mashtruar me premtimin se do t’i ndërmjetësonte për të siguruar një pasaportë të huaj.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, gruaja e kishte denoncuar rastin, duke deklaruar se i dyshuari fillimisht i kishte kërkuar 400 euro për ndërmjetësimin e pasaportës, por më pas kishte vazhduar të kërkonte shuma të tjera parash. Brenda një periudhe të shkurtër kohore, ajo i kishte dorëzuar gjithsej 9.000 euro, ndërsa ai vazhdonte të kërkonte para të tjera.

Më 23 korrik 2026, rreth orës 13:50, në sheshin e qytetit në Kavadar, zyrtarët policorë të SPB Kavadar, në bashkëpunim me kolegët nga SPB Kumanovë, e privuan nga liria të dyshuarin me inicialet M.D. (32).

Gjatë arrestimit, policia i gjeti 2.000 euro që ai sapo i kishte marrë nga viktima. Paratë ishin përpunuar paraprakisht me metoda kriminalistiko-teknike nga policia, si pjesë e aksionit për dokumentimin e veprës.

I dyshuari është ndaluar në stacion policor dhe më pas është nxjerrë para prokurorit publik, ku ka pranuar kryerjen e veprës. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim penal për veprën penale “Mashtrim”, sipas nenit 247, paragrafi 1 të Kodit Penal.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër