Arrestohet autori i dyshuar i djegies së automjetit diplomatik të Ambasadës bullgare në Shkup

Nga Xh M
516 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 qershor Zhurnal.mk – Policia ka arrestuar personin e dyshuar për zjarrvënien ndaj automjetit diplomatik të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, konfirmojnë burime nga Ministria e Punëve të Brendshme për TV24. Sipas informacioneve, i dyshuari e ka pranuar veprën, ndërsa tek ai janë gjetur edhe prova shtesë që lidhen me aktin vandal.

Nga pamjet e publikuara nga agjencia bullgare BGNES, bëhet fjalë për një burrë të moshës së mesme, i cili nxjerr një shishe me lëndë djegëse, spërkat njërin automjet dhe më pas i vë flakën edhe automjetit tjetër.

MPB-ja njoftoi se bëhet fjalë për I.D. (44) nga Shkupi, i cili është privuar nga liria dhe po mbahet në stacion policor. Gjatë veprimeve hetimore është gjetur edhe veshja që ai kishte veshur në momentin e kryerjes së veprës. Në koordinim me prokurorin kompetent po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit, pas së cilës ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal përkatës.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut e dënoi incidentin, duke theksuar se ngjarje të tilla nuk kanë vend në një shtet demokratik.

“Nëpërmjet institucioneve kompetente po ndërmerren masa intensive për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e përgjegjësve. Çdo përpjekje për nxitjen e tensioneve, përhapjen e urrejtjes apo cenimin e sigurisë do të sanksionohet maksimalisht. Shteti ka kapacitet dhe do të përgjigjet me forcën e plotë të institucioneve, pa lejuar që individë të dëmtojnë reputacionin e Maqedonisë”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Reagim i ashpër erdhi edhe nga Sofja zyrtare. Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë vlerësoi se incidenti është pasojë e retorikës agresive politike dhe gjuhës së urrejtjes ndaj bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Djegia e dy automjeteve të Ambasadës Bullgare në Shkup është rezultat i gjuhës së urrejtjes, nxitjes së tensioneve dhe mungesës së reagimit adekuat institucional në raste të ngjashme të mëparshme, gjë që krijon ndjenjë mosndëshkueshmërie për autorët”, thuhet në reagimin e MPJ-së bullgare.

Në deklaratë përmendet edhe rasti i sulmit ndaj klubit kulturor bullgar në Manastir, duke theksuar se autori i atij sulmi nuk mori dënimin e duhur dhe më pas u përfshi në një fushatë politike parazgjedhore.

Bullgaria njoftoi se do të vazhdojë të përdorë të gjithë mekanizmat në dispozicion për të kundërshtuar çdo përpjekje për krijimin e atmosferës së frikës ndaj bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.

Ky është incidenti i dytë para Ambasadës Bullgare gjatë këtij viti. Në janar u thyen xhamat e objektit diplomatik, ndërsa autori i atij rasti u arrestua menjëherë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër