Eurostat/ Vetëm 1.9% e të punësuarve në Maqedoninë e Veriut punojnë nga shtëpia, Finlanda kryeson në Evropë

Nga Xh M
633 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 qershor Zhurnal.mk – Punësimi nga shtëpia mbetet shumë i ulët në Maqedoninë e Veriut krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostatit, vetëm 1.9 për qind e të punësuarve në vend kanë punuar nga distanca gjatë vitit të kaluar.

Në krye të listës evropiane renditet Finlanda, ku 20.5 për qind e të punësuarve punojnë nga shtëpia, e ndjekur nga Irlanda me 19.2 për qind. Të dyja vendet janë dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian, e cila është 8.8 për qind.

Mbi 10 për qind e popullsisë së punësuar punon nga distanca edhe në Belgjikë (13.2%), Gjermani (13%) dhe Maltë (12.5%).

Në anën tjetër të renditjes ndodhen kryesisht vendet e Evropës Lindore. Norma më e ulët e punës nga shtëpia është regjistruar në Rumani me 1.3 për qind, pasuar nga Bullgaria me 1.4 për qind, Maqedonia e Veriut me 1.9 për qind dhe Greqia me 2.3 për qind.

Në Kroaci, vetëm 4.7 për qind e të punësuarve punojnë nga distanca, ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë kjo shifër arrin në 4.9 për qind. Nga vendet e ish-Jugosllavisë, Sllovenia ofron më së shumti mundësi për punë nga shtëpia, me 7.2 për qind të të punësuarve që punojnë në këtë mënyrë.

Analistët vlerësojnë se dallimet e mëdha ndërmjet vendeve lidhen kryesisht me strukturën ekonomike. Shtetet me sektorë më të zhvilluar të teknologjisë së informacionit, financave, administratës publike dhe shërbimeve profesionale kanë më shumë mundësi për punë nga distanca.

Ndërkaq, vendet ku dominojnë sektorët e prodhimit, bujqësisë, ndërtimtarisë, turizmit, logjistikës, tregtisë dhe shërbimeve që kërkojnë prezencë fizike kanë norma dukshëm më të ulëta të punës nga shtëpia.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër