Sot përfundon afati i parë i regjistrimeve për nxënësit që do të ndjekin vitin e parë të arsimit të mesëm në vitin shkollor 2026/2027

Nga R.ZH
727 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 qershor, Zhurnal.mk – Gjysmë-maturantët aplikojnë në mënyrë elektronike përmes portalit Uslugi.gov.mk, duke përdorur hyrjen e veçantë për nxënësit përmes llogarive të tyre në platformën schools.mk. Pas aplikimit online, kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm në shkollën ku kanë aplikuar.

Sipas kalendarit të publikuar nga institucionet kompetente, aplikimi i parë elektronik filloi më 12 qershor në ora 00:00 dhe përfundon sot në mesnatë. Afati i dytë i regjistrimit në periudhën e qershorit do të zhvillohet më 23 qershor.

Për nxënësit që nuk do të regjistrohen gjatë afateve të qershorit, do të ketë edhe një mundësi shtesë në periudhën e regjistrimit të gushtit, më 20 gusht.

Konkursi për regjistrimin në arsimin e mesëm parashikon gjithsej më shumë se 25.000 vende të lira në 109 shkollat e mesme publike në të gjithë vendin.

Pjesa më e madhe e vendeve të lira, mbi 17.000, janë të destinuara për arsimin profesional, ndërsa pothuajse 6.000 vende janë në gjimnaze. Gjithashtu, 570 vende të lira janë paraparë për arsimin artistik.

Autoritetet arsimore u bëjnë thirrje nxënësve dhe prindërve që të respektojnë afatet e përcaktuara dhe të sigurohen që dokumentacioni i nevojshëm të dorëzohet në kohë, me qëllim që procesi i regjistrimit të zhvillohet pa pengesa.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër