Arrestohet personi nga Struga i cili ofendoi kryeministrin Mickoski

Nga I.A
933 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 gusht, Zhurnal.mk – S.G. (52) nga Struga u arrestua pasi gjatë vizitës së kryeministrit Hristijan Mickoski në Tashmarunishtë më 2 Gusht kishte drejtuar fyerje verbale, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme. VMRO-DPMNE bëri të ditur se personi i arrestuar kishte dokumente bullgare.
S.G. u arrestua pas një kallëzimi se ka kryer veprën penale “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, transmeton portali Lideri.mk.

“Më 2 gusht, S.G. (52) ka drejtuar fyerje verbale ndaj personave publikë të pranishëm në aktivitetin për shënimin e 2 Gushtit – Ditës së Republikës. Pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, ndaj tij do të parashtrohet kallëzimi përkatës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Për këtë incident dje reaguan edhe LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja.
LSDM pyeti: “A është e vërtetë se qytetarët e sulmuan verbalisht Mickoskin? A e shanë për shkak të premtimeve të papërmbushura? Është e qartë se pikërisht politika e përhapjes së urrejtjes, përçarjes dhe ndasive që ndjek Mickoski, madje edhe në fjalimin e tij për Ilindenin, është arsyeja pse qytetarët nuk mund ta durojnë. Pakënaqësia e qytetarëve është e madhe për shkak të gjendjes katastrofike ekonomike, ndotjes së ujit, izolimit të vendit dhe gënjeshtrave të përditshme të Mickoskit”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE u përgjigj se LSDM-ja e ka njohur veten në fjalimin e Mickoskit në Pelincë dhe se ka konfirmuar koordinimin e plotë me qendra të jashtme.
“I përshëndetur nga qytetarët e pranishëm, ai lëvizte mes popullit ashtu siç i ka hije një lideri popullor, ndryshe nga kryetari i LSDM-së, i cili i ikën popullit me jahte të shtrenjta dhe u drejtohet qytetarëve përmes mesazheve të incizuara në një ditë si Ilindeni. Gjatë lëvizjes së kryetarit Mickoski mes qytetarëve, një person, në përpjekje për të provokuar incident, nën ndikimin e alkoolit, bërtiste fjalë me përmbajtje të papërshtatshme. Personi u izolua nga qytetarët e pranishëm dhe u identifikua nga pjesëtarët e MPB-së. Gjatë identifikimit, ai paraqiti letërnjoftim dhe pasaportë bullgare”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër