Shkup, 10 prill Zhurnal.mk – Avokati Miralem Asani, në intervistë për Alsat, akuzon ish-ministrat dhe zv.ministrat shqiptarë të Drejtësisë se me mos përfshirjen e ligjit për gjuhët në ligjin për jurisprudencë, kanë sjellë një situatë të tillë. Ai thotë se me një marrëveshje politike kjo çështje mund të zgjidhet.
“Nuk është që gjithmonë diçka të kërkohet. Ajo që të takon, duhet të të takojë edhe pa kërkesë. Në këtë rast ne nuk e kemi në ligj askund se diçka ndalohet, nëse nuk ndalohet atëherë lejohet. Ata është dashur të jenë më vigjilentë dhe një gjë të tillë ta mundësojnë. ( Te ligji për jurisprudencë që është miratuar pas miratimit të ligjit për gjuhët) Aty është bërë një lëshim i madh, se ligji për përdorimin e gjuhëve ka ardhur më 14 janar 2019, ndërsa ligji për provimin e jurisprudencës ka dalë në gazetën zyrtare më 11 shtator 2019, diku afër 8-9 muaj më vonë. Është dashur që një nen të ketë edhe për gjuhët, shembull, provimi i jurisprudencës mund të jetë në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën e së paku 20 përqindëshit, ashtu siç është në kushtetutë edhe në ligjin e përdorimit të gjuhëve”- deklaroi Asani.
Nuk ka pengesa ligjore që studentët shqiptarë, provimin e jurisprudencës ta realizojnë në gjuhën shqipe. Juristi, Miralem Asani, në intervistën për Alsat, thotë se pengesa është politike, ndërsa shton se kjo çështje do të zgjidhet së shpejti dhe se përpos jurisprudencës, shqipja do të zbatohet edhe tek ligji për avokati, noteri dhe ligji për përmbaruesit.
“Kërkesat e tilla parashtrohen jo për t’u dhënë, por e meritojnë studentët një gjë të tillë, meqë provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe, nuk është diçka që është e ndaluar me ligj apo me kushtetutë. Unë mendoj se këtu kemi të bëjmë me mungesë të vullnetit politik dhe besoj se pas rrjedhjeve të fundit, sinjaleve që pushteti i jep besoj se edhe kjo do të ketë një zgjidhje. Nëse ligji i provimit të jurisprudencës pëson ndryshime në realitet, inkorporohet gjuha shqipe, patjetër të inkorporohet edhe ligji mbi avokati, mbi noteri, mbi përmbaruesit, mbi ndërmjetësuesit dhe kështu me radhë,” – deklaroi juristi, Miralem Asani.
Duke folur për 20% në Kushtetutë, Asani në intervistë për Alsat thotë se në Maqedoni nuk ka ligj për gjuhën shqipe. Ai shton më tej se, pas vitit 2001 ka pasur dy ndryshime kushtetuese dhe atëherë është prezantuar si zgjidhje e mirë, por siç shton ai, tani po dalin ne pah lëshimet.
“Nuk kemi ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, se gjuha shqipe duhet në çdo institucion, e kështu me radhë, domethënë pastër si gjuhë shqipe. Ne e kemi të inkorporuar gjuhën shqipe si 20 përqindësh, në ligjin për përdorimin e gjuhëve. Dhe kjo është kështu, unë nuk di si ta lexoj në mënyrë tjetër. Për hir të së vërtetës, unë e kam edhe ligjin për përdorimin e gjuhëve para vetes dhe aty në nenin 1, alineja 2 thuhet, ‘gjuhë tjetër që e flasin së paku 20 % e qytetarëve ( gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj. Ndërsa neni 1 thotë, ‘në tërë territorin e RMV-së dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik’. Kjo pastër i tregon kufijtë”- deklaroi Asani.
