Kërçovë, 3 gusht Zhurnal.mk – 22 milionë euro do të kushtojë ndërtimi i spitalit të ri në Kërçovë. Sipas paralajmërimit të Qeverisë objekti do të ndërtohet në hyrje të qytetit rreth rrugës magjistrale, afër Kazermës.
Por, pas historisë së gjatë me spitalin e papërfunduar, pyetja është nëse qytetarët e Kërçovës ende besojnë në një premtim të ri.
“Çfarë të reje, 30 vjet po ndërtohet, çfarë e reje 100 qeveri janë ndërruar”
“Besojm se do të ndërtohet, atje është më mirë më gjërë”
“Do të ndërtohet 100%, duhet të jenë ngopur me të vjedhur e megjithçka”
“Shpresojmë, besojmë! Cili lokacion është më i mirë këtu ku ishte apo te Kazerma? Nëse ndërtohet e re më mirë është tek Kazerma”
Sipas zëvendësministrit të Shëndetësisë, Jovica Andovski, për tre deri në gjashtë muaj pritet të nënshkruhet marrëveshja me Bankën Botërore për realizimin e projektit.
“Këtë problem ta zgjidhim seriozisht dhe të ofrojmë një zgjidhje të përhershme dhe funksionale. Plani i investimit është vlerësuar 22.5 milion euro, koncepti parasheh spital të ri, objekt të ri me kapacitet prej 80 deri 120 shtretër spitali, pajisje moderne medicinale, kushte bashkëkohore për diagnostifikim, shërbime specialistike dhe shërim spitalor”, tha Jovica Andovski- zv ministër i Shëndetësisë.
Ndërkohë, objekti ekzistues i ndërtuar prej dekadash dhe që nuk u funksionalizua kurrë, sipas kryetarit të Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, do të ketë destinim tjetër, do të shfrytëzohet si shtëpi për të moshuar dhe për fëmijë me nevoja të veçanta.
