ASH reagon ashpër ndaj projektligjit për përfaqësimin e shqiptarëve

Nga B.M
468 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 prill, Zhurnal.mk – Aleanca për Shqiptarët do ta kundërshtojë fuqishëm propozim-ligjin e hartuar nga Tanja Karakamisheva, i cili përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore, theksohet në komunikatën e Aleancës për Shqiptarët të cilën MIA e transmeton në formë integrale.

Ky nuk është aspak ligj reformues, por një projekt i mirëfilltë për çmontimin e barazisë. Heqja e kuotave etnike, mungesa e identifikimit etnik në punësim dhe avancim, si dhe mungesa e mekanizmave ndëshkues, e shndërrojnë këtë nismë në një instrument të diskriminimit të institucionalizuar.

ASH paralajmëron se ky propozim synon të rikthejë një realitet të papranueshëm për shqiptarët në këtë shtet.

Tërheqja e një profesori shqiptar nga grupi punues, duke e cilësuar procesin si të dirigjuar, është dëshmi e qartë se ky ligj nuk buron nga nevoja për reformë, por nga një agjendë e parapërcaktuar politike.

Edhe më skandaloz është fakti që VLEN-i ka zgjedhur të rreshtohet në anën e këtij projekti, duke e lavdëruar atë dhe duke u bërë bashkëpërgjegjës politik për çdo pasojë që cenon të drejtat e shqiptarëve.

Ne kërkojmë tërheqjen e menjëhershme të këtij propozim-ligji dhe hapjen e një procesi gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje me parimet kushtetuese dhe standardet evropiane për përfaqësim të drejtë.

Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të jetë në vijën e parë të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve dhe do të kundërshtojë çdo përpjekje për t’i zhbërë ato.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër