Tiranë, 7 prill Zhurnal.mk – Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nisur një aksion në terren për shpërndarjen e vendimeve të legalizimit të emetuara më parë, të cilat nuk janë tërhequr ende nga qytetarët në kryeqytet.
Grupet e ekspertëve të Kadastrës ishin të pranishëm në rrugën “Shefqet Ndroqi”, ku punonjësit e Drejtorisë ASHK Tiranë Jug trokitën derë më derë për të dorëzuar titujt e pronësisë drejtpërdrejt tek përfituesit.
Sipas ASHK, bëhet fjalë për vendime të nxjerra më herët, për të cilat nuk ka qenë i mundur dorëzimi përmes platformës e-Albania.
Kadastra njofton se lista e përfituesve që nuk i kanë tërhequr ende vendimet është publikuar në faqen zyrtare, në rubrikën “Publikime”, e organizuar sipas drejtorive përkatëse.
ASHK bën të ditur se, vendimet e legalizimit duhet të regjistrohen në platformën e-Albania për të përfunduar procesin e plotë të pronësisë.
