Asnjë RREZIK nga hantavirusi, ISHP: Virusi nuk qarkullon në Ballkan dhe në Evropë

Nga Xh M
993 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 11 maj Zhurnal.mk – Shqipëria nuk ka rrezik nga virusi “Andes”, që ka alarmuar mbarë botën. Ky lloj hantavirusi, që qarkullon në Argjentinë dhe në disa vende të Amerikës Latine, nuk është i pranishëm në Ballkan dhe as në Europë. Shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, përmes një sqarimi në profilin e saj, bën të ditur se edhe brejtësit që strehojnë virusin e rrezikshëm “Andes” nuk ndodhen në rajonin e Europës.

Po ashtu, përmes një deklarate zyrtare për mediat, Instituti i Shëndetit Publik deklaron se Shqipëria, ashtu si edhe vendet e tjera të Europës, kanë rrezik shumë të ulët nga virusi “Andes”, i cili transmetohet nga njeriu te njeriu. Epidemiologu Artan Simaku thotë se nuk ka vend për panik dhe as për kufizime udhëtimesh. Nga ana tjetër, ekspertët e shëndetit publik bëjnë të ditur se nuk ka asnjë qytetar shqiptar në listat e kroçerave ku ka shpërthyer virusi “Andes” apo në kontaktet gjatë fluturimeve të ndryshme. Ata sqarojnë se për llojet e hantaviruseve që qarkullojnë në vendin tonë dhe në Europë, nuk ka transmetim nga njeriu te njeriu.

Burime nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë të ditur se ekspertët kanë nisur takime me autoritetet portuale të vendit për t’i informuar stafet lidhur me masat, protokollet e veshjes dhe vigjilencën ndaj çdo shenje të dyshuar te pasagjerët në anije e kroçera. Po ashtu, ekspertët deklarojnë se qytetarët shqiptarë që kanë planifikuar udhëtime në Argjentinë, Kubë, Kili apo vende të tjera të Amerikës Latine duhet të marrin pranë ISHP hartën e rrezikut nga virusi “Andes” dhe të jenë në kontakt të vazhdueshëm me Institutin e Shëndetit Publik për çdo shqetësim shëndetësor apo shenjë të mundshme.

Ndërkohë, ISHP, në bashkëpunim me Bankën e Gjakut, ka nisur studimin e seroprevalencës për hantaviruset tek të gjithë dhuruesit e gjakut. Kjo do të tregojë nivelin e antitrupave ndaj hantaviruseve që qarkullojnë në rajonin tonë dhe sa persona e kanë kaluar infeksionin pa shenja.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër