Tiranë, 28 nëntor Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka përcjellë urimin për festat e 28 dhe 29 Nëntorit nga qelia ku po mbahet në paraburgim prej rreth 19 muajsh.
Përmes një mesazhi të shoqëruar me pamje të bulevardit qendror “Dëshmorët e Kombit”, të zbukuruar me flamuj kuqezi, Veliaj ka uruar shqiptarët për Ditën e Flamurit dhe Ditën e Çlirimit.
Ai ka thënë se do të dëshironte që edhe këtë nëntor të ishte në Sheshin Skënderbej për të ngritur flamurin dhe për të nderuar ata që dhanë jetën për Shqipërinë.
“Gëzuar festat e 28-29 Nëntorit! Do të doja shumë që edhe këtë nëntor të isha në Sheshin Skënderbej, për të ngritur lart Flamurin Kuqezi dhe për të nderuar ata që dhanë jetën për Shqipërinë.
Çdo nëntor na kujton se liria nuk na është falur. Ajo është fituar me gjak, është mbrojtur me sakrifica dhe duhet ruajtur me guxim e dinjitet.
Amaneti i të parëve tanë nderohet duke mbrojtur lirinë dhe drejtësinë e duke ndërtuar një Shqipëri ku fëmijët tanë të jetojnë të lirë dhe krenarë që janë shqiptarë. Lavdi përjetë heronjve dhe dëshmorëve të atdheut! Gëzuar Pavarësinë! Gëzuar Çlirimin”, ka shkruar Veliaj.
Ky është nëntori i dytë që Veliaj e kalon në paraburgim. Ai po përballet me akuza për disa vepra penale, ndërsa dosja ndaj tij është dërguar për gjykim.
