Shkup, 25 gusht, zhurnal.mk – Kompania ndërtimore “Granit” e nënshkroi marrëveshjen me NP “Rrugët Shtetërore” për ndërtimin e pjesës së dytë të autostradës Shkup – Bllacë, e cila duhet ta lidhë metropolin maqedonas me kufirin me Kosovën.
Sipas njoftimit të dorëzuar në Bursën e Maqedonisë, vlera e përgjithshme e marrëveshjes arrin 13,62 miliardë denarë, përkatësisht rreth 222 milionë euro. Në shumën është përfshirë edhe mirëmbajtja pesëvjeçare e autostradës.
Objekt i marrëveshjes është ndërtimi i një pjese të gjatë 10,5 kilometra. Ajo do të lidhet me 1,5 kilometrat tashmë të ndërtuara, me ç’rast gjatësia e përgjithshme e autostradës nga Shkupi deri te kufiri me Kosovën do të arrijë rreth 12 kilometra.
Nga “Granit” informojnë se afati i ndërtimit është 1.460 ditë, përkatësisht katër vite të plota nga futja në punë. Marrëveshja përfshin ndërtimin e autostradës TEN‑T Shkup – kufiri me Kosovën dhe mirëmbajtjen e saj pesëvjeçare.
Me realizimin e projektit pritet të përmirësohet dukshëm lidhja rrugore mes Shkupit dhe Kosovës dhe të lehtësohet transporti dhe lëvizja e udhëtarëve dhe mallrave përgjatë kësaj lidhjeje të rëndësishme rajonale.
