Avokati i Popullit: Feminicidi të njihet si vepër penale e veçantë, 27 raste në katër vitet e fundit

Nga D. V.
A+ A-
Rivendos

Observatori i Femicidit pranë Avokatit të Popullit prezantoi të dhëna mbi rastet e dhunës ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri gjatë vitit 2024. Prezantimi u bë nga Komisionerja Vilma Shurdhi.

Sipas raportimit, për herë të parë, përveç vrasjeve dhe femicideve, monitorimi për vitin 2024 është zgjeruar duke përfshirë edhe vrasjet e mbetura në tentativë, plagosjet e rënda me dashje dhe shkaktimin e vetëvrasjes.

“Në total, gjatë katër viteve të fundit në Shqipëri janë vrarë 37 gra dhe vajza, nga të cilat 27 raste (ose rreth 73%) janë vlerësuar si femicide”, thuhet në të dhënat e prezantuara nga Observatori.

Gjatë vitit 2024 janë analizuar 18 raste të dhunës ekstreme ndaj grave dhe vajzave. Në 72% të rasteve, konkretisht në 13 nga 18 raste, viktimat kishin përjetuar dhunë të mëparshme nga autori.

“Kjo vërteton se dhuna fatale është shpesh një përshkallëzim i abuzimit të njohur”, theksohet në raport.

Raporti evidenton gjithashtu mungesën e mbrojtjes aktive për viktimat.

“Ndonëse 5 nga viktimat kishin kërkuar ndihmë në polici përpara krimit, asnjë prej tyre nuk ishte nën masa aktive mbrojtjeje në momentin e ngjarjes”, thuhet në raport.

Sa i përket mungesave të mekanizmave, “analiza nxjerr në pah dobësi në identifikimin e hershëm të rrezikut dhe mungesë koordinimi ndërmjet policisë, prokurorisë dhe shërbimeve sociale”.

Lidhur me profilin e krimeve dhe pasojat sociale, në raport theksohet se “nga 19 autorë të identifikuar, 17 ishin burra/djem”.

“Motivet kryesore lidhen me dëshirën për kontroll, xhelozinë dhe normat e thella patriarkale”, thuhet në raport.

Raporti tregon gjithashtu se mbi gjysma e ngjarjeve, rreth 56%, kanë ndodhur në zona rurale, duke treguar nevojën për më shumë vëmendje në këto komunitete.

Sa i përket ndikimit të fëmijët, sipas raportit “viktimat e vitit 2024 ishin nëna të 33 fëmijëve, ku 9 prej tyre janë të mitur.  Në një rast tragjik, tre fëmijë të mitur humbën jetën nga nëna e tyre para se ajo të vetëvritej”.

Në përfundim, Avokati i Popullit ka paraqitur rekomandime, ku nënvizon forcimin e vlerësimit të hershëm të rrezikut dhe monitorimin e rasteve, si dhe njohjen ligjore të femicidit si një vepër penale të veçantë.

Në mars 2024, Avokati i Popullit, në bashkëpunim me Zyrën e UN Women në Shqipëri, krijoi Observatorin për Femicidin, duke e pozicionuar Shqipërinë si vendin e parë në Ballkan (dhe ndër të paktët në Evropë) që ka ngritur një mekanizëm monitorimi për vrasjet me bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave.

Në dhjetor 2024 u publikua raporti i parë monitorues për vitet 2021–2023, i cili përmblodhi dhe analizoi në mënyrë sistematike të dhënat, identifikoi boshllëqet në përgjigjen institucionale ndaj këtij fenomeni dhe paraqiti një sërë rekomandimesh për institucionet shqiptare.

artikuj të ndërlidhura