Një baba nga Idaho dhe vajza e tij 3-vjeçare kanë kthyer një lojë të zakonshme në një rekord botëror Guinness, pasi së bashku arritën të kalojnë përmes një rrethi hula hoop më shumë herë se çdo dyshe tjetër në 30 sekonda.
David Rush, i njohur për numrin e madh të rekordeve Guinness që ka thyer ndër vite, u bë këtë herë partneri i vajzës së tij të vogël, Felicity.
Vajza kishte ndjekur prej vitesh stërvitjet e babait të saj dhe së fundmi i kërkoi nëse mund të kishte edhe ajo një rekord botëror.
Rush tregoi se Felicity kishte provuar më parë disa prej sfidave me të, nga mbajtja e topit në ajër dhe hedhja e lapsave në gota, deri te lojërat me sy të lidhur dhe grumbullimi i roleve të letrës higjienike. Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk ishte pranë standardit të një rekordi botëror.
Kështu, babë e bijë zgjodhën një sfidë tjetër: numrin më të madh të kalimeve përmes një rrethi hula hoop që rrotullohet mbrapsht brenda 30 sekondave.
Rekordi që duhej thyer ishte vetëm 8 kalime, transmeton Telegrafi.
Por Rush tha se stërvitja me një fëmijë 3-vjeçar kishte një rregull të thjeshtë: bëhej vetëm kur Felicity kishte dëshirë.
“Rezistenca nuk është diçka për të cilën i mban një leksion një vogëlushi. Sa herë që ajo donte të provonte, provonim. Kur donte të ndalonte, ndalonim”, tregoi ai.
– YouTube www.youtube.com
Pas disa seancave stërvitore, erdhi momenti i tentativës zyrtare.
Felicity arriti të kalonte përmes rrethit 10 herë, duke e kaluar rekordin ekzistues prej tetë kalimesh. Megjithatë, një prej kalimeve u anulua, pasi rrethi nuk kishte përshkuar të gjithë distancën e kërkuar.
Kjo do të thoshte se rezultati përfundimtar ishte 9 kalime të vlefshme, mjaftueshëm për të vendosur rekordin e ri botëror.
Rush dhe vajza e tij nuk e festuan menjëherë publikisht. Ata pritën disa javë, derisa familja mori certifikatën zyrtare të Guinness World Records.
Më pas, Rush organizoi një surprizë për të gjithë familjen. Ai i dorëzoi certifikatat bashkëshortes së tij, si dhe dy fëmijëve të tjerë, Jeremy dhe Peter, përpara se t’ia jepte Felicity-t certifikatën e saj.
Kështu, në të njëjtën ditë, të tre fëmijët e David Rushit mbajtën në duar certifikatat e tyre të para zyrtare të rekordeve botërore.
Për Felicity-n, gjithçka nisi si një dëshirë e thjeshtë për të pasur një rekord të sajin. Për familjen, ajo u kthye në një moment që do të mbetet gjatë në kujtesë.
