Balla në mbledhjen e KKIE: Shqipëria më pranë se kurrë anëtarësimit në BE

Nga D. V.
651 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 8 maj, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëherësh dhe nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian deklaroi sot se, Shqipëria ndodhet në fazë vendimtare të procesit të integrimit europian dhe më pranë se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në fjalën e tij, në mbledhjen periodike të KKIE, Balla vlerësoi progresin e arritur në procesin e negociatave me BE-në, duke nënvizuar se hapja e të gjithë grupkapitujve brenda një periudhe të shkurtër kohore përfaqëson një arritje historike për vendin.

Ai theksoi se, mbështetja e gjerë e qytetarëve shqiptarë për integrimin europian është një dëshmi e qartë e orientimit strategjik të Shqipërisë dhe e konsensusit kombëtar për të ardhmen europiane të vendit.

Balla u ndal edhe te miratimi nga Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Europian i raportit për Shqipërinë 2025, duke e cilësuar atë si një sinjal të fortë mbështetjeje nga institucionet europiane për progresin e reformave dhe ritmin e negociatave.

Sipas tij, reformat në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimi i institucioneve demokratike kanë rritur besueshmërinë e Shqipërisë në sytë e partnerëve europianë.

Në përfundim, kryetari i grupit parlamentar të PS theksoi se, objektivi për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 duhet të mbetet një angazhim i përbashkët politik dhe institucional, duke bërë thirrje për ruajtjen e ritmit të reformave dhe bashkëpunim të gjerë në funksion të integrimit europian të Shqipërisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër