Balla: PD të rikthehet në Komisionin e Reformës Zgjedhore deri më 30 nëntor, nuk do të lejojmë bllokim

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 9 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se Partia Demokratike ka afat deri më 30 nëntor për t’iu rikthyer punës në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, duke paralajmëruar se mazhoranca nuk do të lejojë që bojkoti të pengojë vijimin e procesit.

Në një prononcim për mediat, Balla tha se komisioni është në detyrë prej një viti dhe se mandati i tij është zgjatur pesë muaj më parë, me qëllim përfundimin e punës më 30 nëntor.

Ai theksoi se në fokus të reformës janë katër rekomandime kryesore të OSBE/ODIHR-it, të cilat sipas tij presin zgjidhje prej vitesh: depolitizimi i komisioneve zgjedhore, miratimi i Ligjit për Financimin e Partive Politike, rregullimi i mbulimit mediatik të fushatave zgjedhore dhe garantimi i ndarjes së shtetit nga zgjedhjet përmes ndërhyrjeve në aktet nënligjore.

“Koha kur Partia Demokratike kishte të drejtën ekskluzive për të bllokuar Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore përfundon më 30 nëntor”, u shpreh Balla.

Ai nënvizoi se mazhoranca është e gatshme të diskutojë të gjitha propozimet e opozitës, por kërkoi që përfaqësuesit e PD-së të marrin pjesë në punimet e komisionit.

“Kush e bojkoton komisionin, bojkoton veten. Nëse më thua se je kundër një çështjeje, atëherë hajde ta fusim atë në rendin e ditës dhe ta diskutojmë”, deklaroi Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së bëri të ditur se një prej propozimeve të mazhorancës është rikthimi i numërimit të votave në qendrat e votimit, me synimin për të shkurtuar ndjeshëm kohën e nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

Ai u ndal edhe te përfaqësimi i njësive administrative dhe qyteteve që janë bashkuar në një bashki, duke përmendur rastin e Rrogozhinës dhe Kavajës. Sipas Ballës, synohet që këto territore të kenë përfaqësim në këshillat bashkiakë në përpjesëtim me peshën që zënë në territorin e bashkisë.

Lidhur me propozimin për lista 100% të hapura për zgjedhjen e anëtarëve të këshillave bashkiakë, Balla u shpreh kundër, duke argumentuar se formula aktuale garanton funksionalitetin dhe përfaqësimin demokratik të këshillave.

Ai sqaroi se propozimi i Partisë Socialiste synon të garantojë një përfaqësim më uniform të të gjithë territorit të bashkisë në këshillin bashkiak, jo vetëm në rastet e bashkimit të bashkive, por edhe në bashkitë e tjera.

artikuj të ndërlidhura