Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe bashkëkryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE), Taulant Balla, nënvizoi sot rëndësinë e sigurisë ushqimore si një nga kapitujt më sfidues të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjatë një takimi ndërgjegjësues të KKIE, ai nënvizoi se siguria ushqimore përbën një nga kapitujt më të rëndësishëm dhe më sfidues të negociatave, pasi lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve, besimin e konsumatorit dhe funksionimin e tregut të brendshëm.
Ai kërkoi rritjen e kontrolleve, forcimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe investime në laboratorë e pika kufitare, duke paralajmëruar se sfidat si hyrja e ushqimeve të skaduara kërkojnë një qasje më të koordinuar mes institucioneve.
Sipas tij, Shqipëria gëzon një mbështetje të jashtëzakonshme publike për integrimin europian, por anëtarësimi kërkon standarde më të larta dhe zbatim real të ligjeve.
Balla theksoi se vendi është në rrugën e duhur, por duhet të rrisë ritmin e reformave, me synimin për të mbyllur kapitujt kryesorë deri në fund të dekadës dhe për ta parë flamurin shqiptar të valëvitet në Bruksel si vend anëtar i BE-së.
“Politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitarisë janë gurë themeli për përgatitjen e vendit për tregun e brendshëm europian. Ligjet e miratuara janë të rëndësishme, por zbatimi i tyre në terren kërkon një sistem kontrolli efektiv, transparent dhe të mbështetur mbi shkencë”, u shpreh Balla.
Balla vuri theksin tek bashkëpunimi mes institucioneve shtetërore për kontrollin e ushqimeve të importuara dhe njoftoi se viti 2026 pritet të jetë ndër më intensivët për punën parlamentare në funksion të anëtarësimit europian.
Ai përmendi edhe projektet EU4FOODSAFETY dhe CRAD, të cilat kontribuojnë në forcimin e pikave të inspektimit kufitar, laboratorëve dhe kapaciteteve njerëzore, duke dhënë rezultate konkrete në terren.
Balla theksoi se, “Shqipëria është në rrugën e duhur, por duhet të ndryshojë marshin me një hap më të shpejtë.
“Siguria ushqimore është pjesë e sigurisë kombëtare dhe prioritet strategjik për vendin”, nënvizoi ai.
Takimi i sotëm shërbeu gjithashtu për të kërkuar nga qeveria raportim mbi zbatimin e legjislacionit të sigurisë ushqimore dhe për të koordinuar veprimet e institucioneve të përfshira në procesin e integrimit.
