Gonxhja: 600 të rinj përfituan nga Programi i Praktikave të Punës

Nga B.M
360 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha sot se 600 praktikantë përfituan nga Programi Kombëtar i Praktikave të Punës në vitin 2025.

Në takimin përmbyllës të thirrjes së 10-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, Gonxhja tha se “shpesh dëgjojmë se Evropa është “atje jashtë”, diku ku duhet të ikësh për ta gjetur. Por e vërteta është se Evropa që ne duam nuk është një destinacion gjeografik, është një standard jetese që po e ndërtojmë këtu, bashkë. Për vite me radhë, administrata publike është parë si një “kafaz burokratik”, një mjedis statik, i ngadaltë dhe shpeshherë i shkëputur nga aspiratat e qytetarëve”.

Por sot, vijoi Gonxhja, ky imazh i përket të shkuarës.

“Ju jeni dëshmia e këtij transformimi rrënjësor. Sot shteti nuk flet nga lart, por ecën krah për krah me të rinjtë dhe ju fton të bashkoheni e të kontribuoni për vendin. Prania juaj sot thyen barrierat e kohës, sfidon status quo-në dhe sheh meritokracinë si të vetmen matëse të suksesit. Ju nuk jeni thjesht punonjës të rinj, por arkitektët e një administrate moderne, transparente dhe në shërbim të plotë të realitetit që na rrethon. Jeni ata që do ta bëni shtetin të vrapojë me shpejtësinë e ambicies suaj. Përmes Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, nuk po hyjnë thjesht emra të rinj në listëpagesa, po hyn një mendësi e re: 600 praktikantë përfituan nga ky program në vitin 2025 duke zgjedhur të japin kontributin e tyre real”, nënvizoi Gonxhja.

Ministri Gonxhja u shpreh se “për herë të parë në vitin 2025, puna juaj u çmua financiarisht, si certifikata e parë e dinjitetit, një mesazh i qartë se dija juaj ka vlerë dhe shteti e respekton atë që në hapin e parë. Dhe mbi të gjitha, janë 250 kontrata të para pune që vërtetojnë se në këtë program, rruga nga bankat e shkollës te mundësitë e punësimit konkret kalojnë vetëm përmes meritës”.

“Shqipëria e re ka nevojë për mendjen, zemrën dhe energjinë tuaj pa komplekse për ta kthyer Shqipërinë 2030 në stacionin më të rëndësishëm të rajonit në të gjitha dimensionet: ekonomike, turistike, kulturore, sportive”, tha Gonxhja.

Gjatë vitit 2025 u ofruan 1401 praktika, ku 600 të rinj u përfshinë në institucione publike. Ndërkohë 600 praktikantë kanë marrë kompensim financiar prej 10 000 lekë/muaj për 3 muaj, një vlerë prej 2,6 milionë lekë më shumë buxhet për vitin 2025.

Gjithashtu gjatë 2025 janë kryer 6 cikle trajnimesh me ASPA (aftësi digjitale, etikë, financa, administratë). Nga 600 të rinj, rreth 250 prej tyre do të përfitojnë kontratë pune 1-vjeçare në institucionet përkatëse, ndërsa 1600 persona janë punësuar gjatë këtyre 9 viteve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër